Dy deputetë dhe dy ish-zyrtarë kanë dhënë këtë të enjte (31 tetor) llogari para prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme lidhur me çështje të ndryshme.
I pari që u paraqit ishte ish-kreu i OSHEE-së, Ardian Çela, i cili u pyet më shumë se dy orë nga prokurorët. Edhe pse nuk dha asnjë koment për mediet pas daljes nga SPAK-u, ndaj Çelës është bërë më herët një padi nga PD-ja lidhur me dëmin ekonomik prej 10 milionë euro që OSHEE, së bashku me Furnizuesin e Tregut të Lirë (FTL) dhe KESH, pretendohet se i kanë shkaktuar shtetit shqiptar.
Pas tij radhën e kishin dy deputetët Xhemal Qefalia dhe Elda Hoti. Deputeti socialist Qefalia u thirr nga SPAK-u për t’u pyetur si person në dijeni në lidhje me dosjen e “21 Janarit”. Pikërisht për këtë çështje më herët, më 24 tetor, u thirr edhe ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj.
Ndërsa deputetja demokrate Elda Hoti u paraqit në SPAK pas padisë ndaj saj nga Polica e Shtetit, me dyshimin se hodhi një "lëng të dyshimtë" drejt kolegëve të mazhorancës gjatë seancës së 17 tetorit. Për vetë deputeten ky lëng ishte parfum dhe hetimin ndaj saj e quajti qesharak.
Edhe ish-drejtori i Tatimeve, Ceno Klosi u thirr nga SPAK-u, ku po hetohet për 4 vepra penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”.
Puna e SPAK-ut u vlerësua edhe në progres-raportin e fundit të Komisionit Europian, "veçanërisht në reformën gjithëpërfshirëse në drejtësi dhe procesin e vetingut, përfundimi i të cilit janë rezultatet e mira në çështjet e antikorrupsionit", ndërsa partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë kanë shprehur vazhdimisht mbështetjen e tyre ndaj Prokurorisë së Posaçme.
/rtsh.al/