Deputetja demokrate Elda Hoti u paraqit të enjten në SPAK për të sqaruar pozitën e saj në lidhje me denoncimin për "kanosje" dhe përdorim të "lëndëve helmuese".
Kallëzimi u krye nga Policia pas incidenteve në Kuvendin e Shqipërisë. Dyshohet se ajo kishte një lëng të dyshimtë me vete gjatë seancës së 17 tetorit, të cilën e lëshoi në sallën e parlamentit. Sipas kryeparlamentares Elisa Spiropali bëhet fjalë për benzinë, por për deputeten demokrate ishte thjesht parfum.
Disa nga kolegët e saj opozitarë janë kallëzuar po ashtu në SPAK për “kundërshtimin e punonjësve të policisë”.
Pas daljes nga godina e prokurorisë speciale, znj. Hoti shprehu çudinë e saj që çështja po trajtohet kaq shpejt në rrugët e drejtësisë, ndërsa akuza e demokratëve për abuzime financiare në miliarda euro nga partia në pushtet "rrinë me vite në dosjet e SPAK-ut".
"Deklarova atë që deklarova edhe në parlamentin e Shqipërisë dhe është e turpshme dhe akuzë qesharake që shqiptarët sot të vazhdojnë e të merren me atë çfare ndodhi në parlament. Sot shqetësim për çdo shqiptar duhet të jetë masakra që ndodhi dje në Shkodër, si rendi dhe siguria, si shteti i së drejtës i është dorëzuar bandave dhe krimit. Sot drejtësia duhet të shqetësohet si banda dhe krimi bëjnë terror dhe rrezikojnë jetën e njerëzve të pafajshëm. Sot drejtësia duhet të ngrihet në lartësinë e duhur dhe të ketë guximin t'i godasë bandat kriminale me të cilat Edi Rama ka grabitur dhe ka cenuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë.
Pse nuk thërret SPAK-u Edi Ramën për incineratorët, për Portin e Durrësit. Pse nuk thërret SPAK-u vëllain e Edi Ramës. Përse nuk thërret Belinda Ballukun, që me një të rënë të lapsit me Tunelin e Llogorasë ka fituar 50 milionë euro. Pse nuk thërret Ulsi Manjën për dosjen 184. Pse nuk thërret SPAK-u Frida Krifcën për fondet e Bashkimit Europian, që ka vjedhur. Pse nuk thërret Ogerta Manastirliun për aferat korruptive që ka bërë me koncesionet në shëndetësi. Për këto duhet të shqetësohet SPAK-u dhe drejtësia politike e marrë peng nga Edi Rama për të goditur opozitën dhe deputetët e opozitës sa herë i prishet qetësia regjimit dhe narkoparlamentit. Këto janë arsyet pse SPAK duhet të veprojë," u shpreh znj. Hoti.
/rtsh.al/