Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po vijon punën për dosjen e “21 Janarit”. Këtë të enjte (31 tetor) deputeti socialist Xhemal Qefalia është paraqitur në SPAK për t’u pyetur si person në dijeni në lidhje me këtë dosje.
"U pyeta si protestues, shpresoj të zbardhet se është ngjarje me viktima", tha deputeti në një prononcim të shkurtër për media pas daljes nga ambiente e SPAK.
Kujtojmë se më 24 tetor, për 21 janarin u paraqit në SPAK edhe ish-zëvendës Drejtori i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj. Ai u thirr në cilësinë e personit që kishte dijeni për ngjarjen tragjike të 21 janarit 2011 ku mbetën të vrarë 4 qytetarë gjatë protestës së opozitës socialiste të asaj kohe ndaj pushtetit të Sali Berishës.
Në periudhën kur ndodhi ngjarja, Kuliçaj ka mbajtur postin e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë, ku ka pasur për detyrë marrjen e masave për mbarëvajtjen e protestës.
Ndërkaq, më 23 janar në SPAK u paraqit ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, i cili gjithashtu u pyet për “21 Janarin”. Në atë kohë, Burgaj u akuzua nga opozita se nuk zbatoi urdhër-arrestet e lëshuara nga Prokuroria.
Për 21 janarin drejtësia ka shpallur fajtor Ndrea Prendin dhe Agim Llupon si autorë të vrasjes së Ziver Veizit dhe Faik Myrtaj.
/rtsh.al/