RTSH 24 Live

Aktualitet

Ish-kreu i OSHEE, Ardian Çela paraqitet në SPAK

31/10/2024

Ish-kreu i OSHEE, Ardian Çela paraqitet në SPAK

Ish-kreu i OSHEE, Ardian Çela është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) mëngjesin e kësaj të enjte (31 tetor).  Ai ka qëndruar brenda ambienteve të SPAK për rreth 2 orë e 30 minuta, teksa nuk dihet ende se përse u thirr nga Prokuroria e Posaçme. Pas daljes, ai nuk dha asnjë koment për mediat.  

Kujtojmë se në vitin 2021, kohë kur Çela drejtonte OSHEE-në, Partia Demokratike depozitoi në SPAK padi ndaj tre ndërmarrjeve që operojnë në sistemin e energjisë elektrike, OSHEE, Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL) dhe KESH. Sipas opozitës, këto institucione, përmes abuzimeve me shitjen dhe blerjen e energjisë elektrike, i kanë shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej 10 milionë eurosh.

Në një deklaratë për RTSH-në në atë kohë, Çela hodhi poshtë akuzat.

“Jam njohur nga media. Unë e kam parë atë kur PD bëri atë deklarimin dhe unë prapë i kthehem që ose ka bërë nga padituria, ose është e qëllimshme.  Ne nuk blejmë në bursë. FTL e blen energjinë në bazë të strategjisë të formuluar nga enti rregullator. Tre fashat kanë çmime krejt të ndryshme. Mosblerja në bursë ka dhe një problem tjetër. Duhet ta kesh paranë kesh. Është detyrim, nuk është qejf. Prokuroria do bëjë detyrën e vet”, tha Ardian Çela për RTSH në atë kohë.

Adrian Çela drejtoi OSHEE-në për nëntë vite. Ai mori detyrën në dhjetor të vitit 2014 dhe qëndroi krye të OSHEE-së deri në qershor të vitit 2023. Çela ka qenë edhe drejtues politik i PS-së për qarkun e Durrësit. 

/rtsh.al/