RTSH 24 Live

Aktualitet

Kumbaro: Qeveria po ribën një ligj dinjitoz për menaxhimin e mbetjeve!

31/10/2024

Kumbaro: Qeveria po ribën një ligj dinjitoz për menaxhimin e mbetjeve!

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro hodhi poshtë akuzat e deputetëve të opozitës, që thanë se vendi ka një mjedis të shkatërruar, ndërsa bëri të ditur se Qeveria po ribën një ligj dinjitoz për menaxhimin e mbetjeve.

Duke marrë fjalën të enjten në seancën plenare të Kuvendit, Kumbaro u shpreh se “deklaratat e opozitës nuk besoj që ndihmojmë opinionin publik kur thonë se ky mjedis është shkatërruar”.

“Është kjo mazhorancë që po ribën një ligj dinjitoz për menaxhimin e mbetjeve, kjo mazhorancë që ka bërë investime të tjera në infrastrukturë, kjo mazhorancë ka bërë një ligj për mbrojtjen e pyjeve, ka krijuar një sistem për të gjitha të dhënat”, tha ai.

Sipas saj, të hedhësh plumba në ajër duke përdorur terma që ngjallin panik, është e dëmshme.

“Në asnjë raport nuk flitet për mbetje toksike. Në asnjë nga dokumentacionet nuk është folur për mbetje. Do ndiqen të gjitha hapat dhe do mësohet çfarë ka brenda. Ju flisni sikur jeni brenda kutive. Ne do presim derisa të dalim në konkluzione. Jemi në bashkëpunim për të informuar publikun për të mos përhapur panik”, tha ministrja Kumbaro.

Më herët deputetja e opozitës Flutura Açka në fjalën e saj në Kuvend ngriti shqetësimin në lidhje me kontejnerët në Portin e Durrësit, të cilët dyshohet se janë me mbetje toksike. Deputetja tha se mbetjet mund të asgjësohen duke u hedhur në det, ndërsa në përgjigjen e saj, ministrja Kumbaro tha se nuk duhet përhapur panik te qytetarët.

Ndërsa deputeti i opozitës Agron Shehaj u shpreh se, plehrat toksike janë trafikuar nga porti i Durrësit. “Ky skandal është skandali që përfshin më shumë nga ju, Ballën, që ishte ministër i Brendshëm, Kumbaron që është ministre e Mjedisit. Lejuat që 102 kontejnerë me mbetjet toksike të trafikoheshin nga porti i Durrësit”, vuri në dukje Shehaj.

Ministrja Kumbaro tha se do të priten të gjitha hetimet e nevojshme për të dalë në një konkluzion për përmbajtjen e kontejnerëve.

/ rtsh.al /