RTSH 24 Live

Politikë

Besart Kadia është ambasadori i ri i Shqipërisë në Azerbajxhan

3 orë para

Besart Kadia është ambasadori i ri i Shqipërisë në Azerbajxhan

Ditën e sotme, Presidenti i Republikës së Azerbajxhanit Ilham Aliyev pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të sapoemëruar të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë, Besart Kadia.

Në faqen zyrtare të presidencës së Azerbajxhanit, bëhet e ditur se ambasadori i dorëzoi letrat kredenciale kreut të shtetit.

Mes ambasadorit të ri Kadia dhe presidentit Ilham Aliyev ka patur edhe një bisedë.

Presidenti i Azerbajxhanit theksoi se Kryeministri i Shqipërisë do të marrë pjesë brenda pak ditësh në COP29, duke shtuar se të gjitha këto ngjarje tregojnë partneritetin e ngushtë mes dy kombeve. Më tej ai vuri në dukje se të dy vendet kanë mbështetur gjithmonë njëri-tjetrin në nivel ndërkombëtar dhe vlerësoi mbështetjen e qeverisë shqiptare për pozicionin e Azerbajxhanit në organizatat ndërkombëtare ku vendi nuk përfaqësohet.

Nga ana e tij, Ambasadori i përcolli kreut të shtetit urimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Ambasadori Kadia shprehu kënaqësinë e tij për fillimin e mandatit të tij në Azerbajxhan dhe nënvizoi rëndësinë e miqësisë dhe lidhjeve kulturore midis dy vendeve dhe popujve të tyre.

Të dyja palët diskutuan për forcimin e bashkëpunimit ekonomik në fusha si energjia, transporti, tregtia dhe turizmi, duke shprehur optimizëm për të ardhmen e marrëdhënieve dypalëshe.

/rtsh.al/