Drejtoresha Ekzekutive e Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Mona Xhexhaj, ishte sot e ftuar në emisionin “Ekspres” në RTSH për të folur rreth Integrimit të Shqipërisë në BE, si dhe detyrat që ka tashmë qeveria shqiptare në kuadër të hapjes së grupkapitujve themelorë, që u çelën më 15 tetor.
Me mbajtjen e Konferencës së dytë Ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe BE-së, tha Xhexhaj, ne zyrtarisht hyjmë në procesin e negociatave.
“Faza e mëparshme ishte procesi “screening” ose ndryshe skanimi analitik i legjislacionit shqiptar me atë të BE. Bisedimet që ishin parashikuar për këtë pjesë faze të parë ishin bisedime shpjeguese, ku KE-ja shpjegon legjislacionin dhe kapitujt specifikisht për palën shqiptare. Pastaj ishte raporti mbi “screening” që ne e kemi marr vitin e kaluar vetëm për grupkapitullin e parë ose ajo që quhet dokumenti themelorë.”
Drejtoresha Ekzekutive e AIEN-it foli për detyrat që qeveria shqiptare duhet të realizojë në një kohë sa më të shkurtër.
Ajo tha se dokumenti me 25 faqe, që quhet “Pozicioni Negociues”, janë “detyrat e shtëpisë” që BE i ka lënë palës shqiptare për t'i zgjidhur.
“Vetëm për grupkapitullin e parë kemi funksionimin e institucioneve demokratike, kemi kriterin ekonomik dhe politik dhe janë dy kapitujt kryesor. Pra, kemi ato që quhen kapitulli 23 dhe Kapitulli 24 që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë, me të drejtat e njeriut, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar. Gjithashtu janë dhe kapituj të tjerë të shtuar sikurse është kapitulli për prokurimet publike , statistikat dhe kontrolli financiar.”
Xhexhaj shprehu shqetësimin se në këtë moment ka vetëm një Pozicion Negociues: ai i BE. Sipas saj, qeveria shqiptare ka vendosur të mos e bëjë publik pozicionin e vet.
“Kjo në fakt ka shqetësuar grupe të shumta interesi për publikimin e përmbajtjen e Pozicionit Negociues. Kjo ka krijuar probleme, sepse që në faqen e parë të këtij dokumenti nga BE-ja theksohet nevoja për transparencë në këtë proces nga pala shqiptare për t'u konsultuar me grupe interesi të ndryshme.”
Një tjetër problem në këtë proces është dhe mmungesa e një dokumentacioni mbi punën e Ministres së Shtetit dhe Kryenegociatores. Xhexhaj tha se pavarësisht këtyre problemeve, qeveria mbetet e angazhuar, sepse e pret një proces i gjatë.
“Po ti referohemi vendeve si Kroacia, e cila e mori statusin kandidat në 2003, në 2005 hapi negociatat dhe iu deshën tetë vite për të përmbushur detyrimet e tjera dhe që të bëhej një shtet me të drejta të plota në BE.”
Ka një sërë faktorësh që ndikojnë në rrugëtimin drejt BE-së. Theksi është vendosur edhe te kualifikimi i administratës, pasi është administrata publike ajo që do të zbatojë reformat dhe përmirësimi i saj është thelbësor për arritjen e objektivave të anëtarësimit.
“Sfidat kryesore nuk janë të reja për vendin tonë, por janë kërkesa që në vazhdimësi BE na ka drejtuar. Më të rëndësishmet në këtë fazë të procesit janë: zbatimi i mëtejshëm i reformës në drejtësi, duke prodhuar rezultate konkrete; reforma në administratën publike, pasi është kjo administratë e cila do të çojë përpara reformat në procesin e integrimit; thellimi i luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar; prokurimi i fondeve publike i mbështetur në transparencë e konkurrencë të drejtë etj.”, tha ajo.
/rtsh.al/