Halloween edhe pse nuk është një festë zyrtare vitet e fundit edhe në Shqipëri po festohet gjithmonë e më shumë, kryesisht nga fëmijët dhe të rinjtë, të cilët kujdesen deri në detaje që të kenë paraqitjen më të veçantë krahasuar me të tjerët duke përdorur në veshjet e tyre edhe simbolikat si kungulli, apo skeleti dhe për këtë të rinjtë arrijnë deri aty sa të harxhojnë shuma të konsiderueshme parash.
Në disa vende të botës kjo festë është e ndaluar, por për realitetin shqiptar cili është këndvështrimi i psikologes, Arjana Muça për këtë festë pagane?
“Unë jam kundër kësaj gjëje. Në përgjithësi jam për t’u festuar ato fesat që i përkasin kulturës shqiptare. Pikërisht këto festa më të mira do të ishin për t’ju imponuar fëmijëve dhe nuk më vjen mirë kur dëgjoj që në institucionet tona arsimore nxitet të festohet një gjë që nuk i përket kulturës dhe traditës së vendit tonë”, tha Muça.
Halloween festohet në datën 31 tetor pasi mendohet se kjo ditë shënon fundin e Vitit të Keltëve dhe besohet të jetë dita kur shpirtrat e atyre që kanë vdekur vitin e mëparshëm do të kthehen për të zënë vend në trupin e një të gjalli.
Për këtë arsye njerëzit veshin kostume të frikshme për t’i trembur.
/rtsh.al/