Me nisjen e vitit të ri akademik, tre fakultetet në Universitetin e Arteve ruajnë thuajse të njëjtin trend të regjistrimeve, ndërsa vihet re një numër i konsiderueshëm i prurjeve të studentëve edhe nga gjimnazet.
Rektori Erald Bakalli pranon se ka edhe programe specifike ku përfshihen instrumente të frymës ku nuk ka kuota për çdo vit, një problem ky që vjen nga drejtimi që vjen nga shkollat e mesme.
“Nuk duhet të harrojmë në asnjë moment që Akademia e Arteve nuk është shkollë e hapur për të gjithë. Ne jemi shkollë me konkurs. Historikisht Universiteti i Arteve është mbajtur nga konkurrentë nga Licetë e rretheve, sot quhen shkolla profesionale artistike, por prezenca e gjimnazeve janë patjetër kontingjent shumë i mirë”, tha rektori.
Rektori Bakalli sqaron se ky universitet ka kaluar dy akreditime, ndërsa flet edhe për vizionin e tij 4-vjeçar.
“Dikur unë krijova një teatër në mbështetje të arteve ku ju dha mundësia studentëve dhe pedagogëve të punonin bashkë në skenë në projekte artistike të mirëfillta. Gjëja e parë që kërkoj është ringritja e këtyre strukturave, jo vetëm teatrit, por edha atij lirik", tha Bakalli.
Punën e paraardhësve të tij e sheh si një vazhdim, me një kërkesë të vazhdueshme për ndryshim.
Kjo godinë pritet t’i nënshtrohet rikonstruksionit, ndërsa është gati projekti i arkitektëve shqiptarë, i një plani ndërtimi të harkut universitar duke nisur që me ndërtimin teknik, me sallë të artit skenik, atelier pikture dhe skulpture si dhe klasa të reja për studimin e muzikës.
Gazetare: E. Hasanbelli
/rtsh.al/