Kryetari i grupit parlamentar demokrat Gazmend Bardhi ka reaguar pas deklaratave të Ambasadës Amerikane dhe asaj të BE-së, ku dënuan dhunën e ushtruar prej tyre në Kuvend gjatë seancës plenare të 30 shtatorit.
Bardhi u shpreh se reagimi, rezistenca dhe mosnënshtrimi është e vetmja formë që i mbetet opozitës për të mbrojtur demokracinë dhe shtetin ligjor.
“Me keqardhje rikonfirmoj se e kemi të pamundur t’i nënshtrohemi dhunës së Edi Ramës, të lejojmë asgjesimin e çdo grimce lirie në këtë vend apo të pranojmë në heshtje instalimin e shtetit të tij personal”, deklaroi Bardhi.
Ky i fundit u shpreh më tej se nuk ka akt më antidemokraitk se tentativa për të zhbërë opozitën, duke iu referuar si arrestimit të deputetit Ervin Salianji, ashtu edhe grupit parlamentar socialist për përjashtimin e deputetëve të opozitës nga Kuvendi.
“Nuk ka akt më antidemokratik sesa tentativa për të zhbërë opozitën. Nuk ka akt më brutal dhe të dhunshëm sesa të burgosesh për fjalën e lirë.
Nuk ka autoritarizëm më të madh sesa të injorosh vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të refuzosh të dorëzosh para drejtësisë një deputet të mazhorancës.
Nuk ka veprim më të dhunshëm sesa të marrësh hapur autorësinë e vendimeve politike të gjykatave që burgosin opozitën dhe të kërcënosh me fjalor rruge këdo që guxon të denoncojë lidhjet e Edi Ramës me krimin e organizuar.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dhe çdo qytetar i ndershëm në këtë vend, është thellësisht i shqetësuar për shkatërrimin e balancës mes pushtetetëve, asgjesimit të parimeve demokratike, shantazhit dhe dhunës ndaj opozitës e qytetarëve, rikthimit të metodave të Sigurimit të Shtetit për përndjekjen kundër opozitës dhe qytetarëve, apo ngritjes në majat e pushtetit të krimit të organizuar”, theksoi Bardhi në reagim.
Ambasada e SHBA-së në Tiranë dënoi dhunën e ushtruar në Kuvend gjatë seancës plenare të 30 shtatorit, ndërsa shton se palët duhet të angazhohen në dialog konstruktiv që do i shërbejë demokracisë dhe të ardhmes integruese të vendit në BE.
Edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato ka dënuar aktet e dhunës, ndërsa bëri thirrje që të shmangen këto situata dhe të ulen tensionet.
/rtsh.al/