RTSH 24 Live

Aktualitet

Rritet interesi për sportet dimërore, 179 alpinistë ngjisin dy majat binjake të Thethit

4 orë para

Rritet interesi për sportet dimërore, 179 alpinistë ngjisin dy majat binjake të Thethit

Federata Shqiptare e Alpinizmit dhe Turizmit Malor organizoi aktivitetin kombëtar 2 ditor, ku bëri bashkë 179 alpinistë të ekipeve nga Shkodra, Elbasani, Tirana, Vlora, Puka, Berati, Përmeti, Korça e të tjerë. Sfida e alpinistëve ishte ngjitja në dy majat Binjake të Thethit, ku të 3 grupet mbërritën në destinacion me sukses.

“Ishte një pjesëmarrje masive rreth 200 alpinistë, të cilët u ndanë në 3 grupe dhe ngjitëm dy majat binjake. Ishte një aktivitet i arritur me sukses jo vetëm për ngjitjen, por edhe për faktin që nuk pati asnjë aksident”, u shpreh Artur Guni, Presidenti i Federatës Shqiptare të Alpinizmit.

Pjesëmarrësit e cilësuan ngjitjen në malet e thepisura të Thethit si një ndër eksperiencat e tyre më të bukura

“Patëm një ngjitje shumë të qetë, ku të gjithë pjesëmarrësit arritën të shkonin në majë”

“U realizua me sukses objektivi, ishte e vështirë, por jo e paarritshme”, u shprehën disa nga alpinistët.

Në grup nuk munguan as turistë të huaj që tashmë janë regjistruar në Federatën e Alpinizmit për të eksploruar malet shqiptare.

“Është kënaqësi të vizitosh Shqipërinë, një vend i bukur” tha një nga turistët e huaj.

Federata Shqiptare e Alpinistëve në bashkëpunim me Agjencinë e Turizmit, çdo fundjavë organizojnë aktivitete të shumta sa i përket eksplorimit të zonave malore.

Kohët e fundit vërehet një shtim i qytetarëve që duan të jenë pjesë e aktiviteteve alpine, për të eksploruar destinacionet turistike duke u njohur me kulturat e veçanta krahinore shqiptare.

/RTSH/