RTSH 24 Live

Politikë

Protesta e thirrur nga Berisha, Rama: Mbyllja e TikTok s’ka të bëjë me zgjedhjet, duam siguri për fëmijët

3 orë para

Protesta e thirrur nga Berisha, Rama: Mbyllja e TikTok s’ka të bëjë me zgjedhjet, duam siguri për fëmijët

Kryeministri Edi Rama i ka dhënë përgjigje akuzave të kreut të opozitës, Sali Berisha për mbyllje e TikTok në vendin tonë, për të cilën ka thirrur edhe një protestë më 15 mars. Përmes një video në Facebook, Rama thotë se mbyllja e këtij rrjeti social erdhi pas një konsultimi të gjerë me prindër e mësues dhe se qëllimi është që të ofrohet më shumë siguri për fëmijët.

Në përgjigje të akuzave, Rama shprehet se mbyllja e TikTok nuk ka të  bëjë me lirinë e fjalës dhe zgjedhjet e 11 majit, teksa shton se bëhet fjalë për një mbyllje të përkohshme që do të zgjasë deri sa kompania të japë plan bindës sigurie për fëmijët.

“Bufi i kënetës u bën thirrje fëmijëve të protestojnë për mbylljen e TikTok, duke mos shkuar në shkollë e prindërve u kërkon të bashkohen me fëmijët kundër mësimit e të dalin në shesh për TikTok. Kjo është këneta jonë opozitare dhe filozofia e saj. Kjo ka qenë gjithmonë e do të jetë, derisa të ketë bufin që vigjëlon nga ballkoni mbi të gjithë gjindjen poshtë në kënetë duke kthyer përfaqësuesit e popullit opozitarë në ca zvarranikë politikë e insekte mediatike që kafshojnë e pickojnë duke helmuar pa pushim çorbën e debatit politik e mediatik shqiptar. 95% e prindërve e mësuesve të pyetur gjatë këshillimit na thanë mbyllni TikTok një orë e më parë.

Madje kërkuan dhe më shumë se kaq. Ndërkohë që ne u futëm në dialog konstruktiv me kompaninë TikTok dhe presim të shohim planin e premtuar të saj të sigurisë së shtuar për fëmijët tanë. Kompania ka thënë se do ta bëjë e do e vërë në dispozicion brenda pak muajsh. Arsyeja pse vendimi u mor vetëm javën e shkuar ka të bëjë me kapacitetet teknike për të realizuar mbylljen e platformës që kanë kërkuar kohën e tyre, të cilat kanë kërkuar kohën e tyre. E para kjo nuk ka të bëjë gjëkundi me lirinë e fjalës e zgjedhjet dhe është një mbylle që unë uroj të jetë e përkohshme, por që do të zgjasë derisa kompania të na japë një plan bindës sigurie dhe mbështetje për prindërit në edukimin e fëmijëve”, u shpreh Rama.

Qeveria vendosi mbylljen e TikTok për një vit, duke sjellë një sërë reagimesh. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e kritikoi ashpër vendimin, duke e cilësuar si akt censure ndaj mbi 1 milion përdoruesve të TikTokut në Shqipëri. Berisha akuzoi Kryeministrin Rama për përpjekje “për të rreshtuar Shqipërinë me shtete si Afganistani dhe Irani”, ndërsa paralajmëroi një protestë kombëtare më 15 mars.

/rtsh.al/