RTSH 24 Live

Politikë

Prezantohet koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, Berisha: Përbëhet nga elita politike e shqiptarëve

5 orë para

Prezantohet koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, Berisha: Përbëhet nga elita politike e shqiptarëve

Partia Demokratike ka prezantuar sot (10 mars) koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, e cila përbëhet nga 26 parti politike.

Në fjalën e tij, kreu demokrat Sali Berisha deklaroi ky koalicion përbëhet jo vetëm nga personalitete e ekspertë të fushave të ndryshme, por nga elita politike e Shqipërisë.

Sipas Berishës, kurrë në historinë shqiptare nuk është prezantuar një koalicion i tillë, i cili, sikurse theksoi ai, do bëjë ndryshimin në zgjedhjet e 11 majit.

“Kjo ditë është një ditë, shumë e veçantë për Shqipërinë madhështore dhe të ëndrrave të shqiptarëve. Ky koalicion që paraqitet sot para shqiptarëve, përfaqëson jo vetëm shumicën absolute në distancë të qytetarëve shqiptarë, por përfaqëson në distancë, elitën politike dhe të gjithanshme të kombit shqiptar.

Ky koalicion, ka në gjirin e vetë vajza, djem, burra e gra, qëndrestarë të pamposhtur, personalitet, patriot dhe ekspertë. Ky koalicion ka mendjen, vullnetin, atdhetarinë dhe përkushtimin për të bërë Shqipërinë madhështore.

Kurrë ndonjëherë nuk është paraqitur para shqiptarëve një koalicion i tillë”, deklaroi Berisha.

Kreu demokrat u shpreh më tej se koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” është mirëpritur nga diaspora shqiptare.

Ai theksoi se viti 2025 është viti i diasporës, pasi sikurse tha Berisha, reagimi i shqiptarëve në botë, është dëshmia e një dashurie të paprekur të tyre ndaj Shqipërisë.

Ky koalicion i PD me Aleancën për Shqipërinë Madhështore është pritur me gëzim, me interes të madh nga mbarë shqiptarët. Ky koalicion nis garën elektorale përballë një narkoregjimi, i lidhur kokë e xhep me krimin dhe korrupsionin.

Por ky koalicion nis garën elektorale me një epërsi të jashtëzakonshme morale. Prej dy muajsh, PD dhe aleatët e saj kanë bërë fushatën elektorale më të suksesshme në historinë e tyre jashtë vendit.

Angazhimi i PD dhe aleatëve të saj në fushatë elektorale me shqiptarët jashtë vendit, në emigracion dhe diasporë, ka ndezur zemrat dhe shpresat e tyre.

Ka provuar një entuziazëm dhe vendosmëri e paparë ndonjëherë te shqiptarët nga vitet ’90 gjer sot. Të dashur miq, me të drejtë unë dhe ju do ta quajmë vitin 2025, vitin e diasporës”, theksoi ai.

Partitë përbërëse të koalicionit janë:

  1. Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryetari, Prof. Dr. Sali Berisha.
  2. Partia e Lirisë, përfaqësuar nga Presidenti Ilir Metaj.
  3. Partia Republikane, përfaqësuar nga Kryetari Fatmir Mediu.
  4. Partia Demokristiane, përfaqësuar nga Kryetari Nard Ndoka.
  5. Partia Bashkim për të Drejtat e Njeiut, përfaqësuar nga Kryetari Vangjel Dule.
  6. Patia Agrare Ambjentaliste e Shqipërisë përfaqësuar nga Kryetari Agron Duka.
  7. Partia Kombëtare Konservatore Albania, përfaqësuar nga Kryetari Kujtim Gjuzi.
  8. Partia Emigracioni Shqiptar, përfaqësuar nga Kryetari Kostaq Papa.
  9. Partia Aleanca Arbnore Kombëtare, përfaqësuar nga Kryetari Gjet Ndoj.
  10. Partia Aleanca Europiane Ekologjike përfaqësuar nga Kryetari Sazan Guri.
  11. Partia Personat me Aftësi të Kufizuar, përfaqësuar nga Kryetari Gjovalin Shqalshi.
  12. Partia Lëvizja Demokratike për Ndryshim, përfaqësuar nga Kryetari Nikolin Staka.
  13. Partia Lëvizja e Legalitetit, përfaqësuar nga Kryetari Shpëtim Axhani.
  14. Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar, përfaqësuar nga Kryetari Ylber Valteri.
  15. Partia Ora e Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryetari Zef Shtjefni.
  16. Partia Lidhja Demokristiane Shqiptare, përfaqësuar nga Kryetari Mhill Gecaj.
  17. Partia Kristian Demokrate e Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryetari Dhimtër Muslia.
  18. Partia Fryma e Re Demokratike, përfaqësuar nga Kryetari Sali Shehu.
  19. Partia Bashkimi Liberald Demokrat, përfaqësuar nga Kryetari Arian Starova.
  20. Partia Balli Kombëtar Shqiptar, përfaqësuar nga Kryetari Adriatik Alimadhi.
  21. Partia Balli Kombëtar Demokrat, përfaqësuar nga Kryetari Artur Roshi.
  22. Partia Bashkimi Popullor I Pensionistëve Shqiptar përfaqësuar nga Kryetari Selami Jenishehri.
  23. Partia për Europianizim dhe Integrimin e Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryetari Rivelino Çuno.
  24. Partia Rruga e Vërtetë Shqiptare, përfaqësuar nga Kryetari Muharem Doda.
  25. Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian, përfaqësuar nga Kryetari Vasil Sterjovski.
  26. Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, përfaqësuar nga Kryetari Shpëtim Idrizi.

/rtsh.al/