Çiftet e reja, që duan të fillojnë jetën familjare dhe të sigurojnë një banesë për të jetuar, përballen gjithmonë e më shumë me dilemën të blejnë shtëpi apo të jetojnë me qira.
Sipas ekspertit të fushës, Rezart Lahi, nisja e jetës familjare duke blerë shtëpi me kredi është hap i gabuar, duke pasur parasysh edhe kostot e fshehura që mbart ky investim.
"Banesat me qira kanë qiranë e përmuajshme dhe ka shumë njerëz që e shohin si zgjidhje blerjen e shtëpisë përmes kredisë. Megjithatë nuk është aq e thjeshtë, pasi vetëm me një interes 5 për qind akumulativ, brenda 20 viteve e paguan dyfish atë çmim, pasi ke taksat, që zakonisht kur je me qira nuk i paguan, mirëmbajtjen dhe investimet që do ajo shtëpi," shprehet z. Lahi.
Për këtë çështje, eksperti i ekonomisë propozon jetesën me qira dhe investimin në pasuritë e paluajtshme.
"Një mënyrë shumë e mirë për disa të rinj është që paratë apo kreditë e para që marrin, t'i marrin për të investuar, t'i marrin për një aset i cili u kthen lekë, për shembull, për të blerë një garazh, një dyqan të vogël, diçka në të cilën marrin qira të përmuajshme mbrapsht. Elementi tjetër është që të jetojnë poshtë nivelit të të ardhurave të tyre. Pastaj mund ta përdorin atë pronë, dyqan apo garazh si kolateral për të blerë shtëpinë tjetër," sugjeron z. Lahi.
Një mënyrë tjetër e zgjuar që po aplikohet kohët e fundit është blerja e shtëpisë me parapagim 20 për qind që në nisje të projektit.
Gazetar: Hajri Mahmutaj
/rtsh.al/