Marrëveshja për hapjen e degës së Bankës Evropiane të Investimeve në Shqipëri është miratuar nga Komisioni i Integrimit.
Kjo bankë është organ i Bashkimit Evropian dhe do të menaxhojë fondet, të cilat Shqipëria pritet të përfitojë nga Plani i Rritjes, pjesa më e madhe në kredi, por edhe grante.
Për kryetaren e komisionit, Jorida Tabaku, hapja e kësaj zyre është dëshmi e mungesës së besimit tek institucionet vendase.
"Unë e shoh si skepticizëm ndaj institucioneve shqiptare për të siguruar që fondet nuk shpërdorohen, sepse ato që kanë ndodhur me IPARD-in, me fondet e bujqësisë, është një njollë shumë e madhe mbi institucionet shqiptare," tha znj. Tabaku.
"BEI ka dhënë një sërë huash dhe kredish për shtetin shqiptar, të cilat po implementohen ose do të implementohen së shpejti, kështu që ka treguar mjaftueshëm besim në të shkuarën për aftësitë implementuese edhe të qeverisë. Arsyeja pse është e nevojshme të ketë një zyrë këtu është se projekti i Planit të ri të Rritjes është një projekt tejet specifik i cili po koordinohet në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe ka nevojë për një ndjekje të vazhdueshme," deklaroi zëvendësministri i Jashtëm, Endrit Yzeiraj.
Gjithashtu komisioni ka miratuar edhe Paketën e Maleve, që synon shitjen e tokave shtetërore, që kanë një posedues, me tarifën simbolike 1 euro, me qëllim zhvillimin e maleve për t'u kthyer në pika turistike.
Kjo nismë u rikthye në komision, pasi më herët u bllokua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por kaloi nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve.
Nga kjo paketë planifikohet të jenë 500 përfitues.
Gazetare: Amela Koçerri
/rtsh.al/