Në Bashkinë Tepelenë ka nisur faza e parë e aplikimeve për kullotat verore, një proces i rëndësishëm për blegtorët e zonës.
Në dispozicion janë vënë 20 mijë hektarë kullota dhe 1 mijë hektarë pyje, të cilat do të përdoren gjatë sezonit të verës për ushqimin e bagëtive.
"Jemi akoma në fazën e marrjeve të kërkesave nga fermerët, pasi sipas udhëzimit të ministrit të Mjedisit, afati është data 10 mars për kullotat verore. Edhe pas kësaj date vazhdojnë kërkesat nga njësitë administrative apo kërkesat e fermerëve në zyrën e Protokollit në bashki," tregon Gëzim Shehu, drejtues i Drejtorisë së Bujqësisë në Bashkinë Tepelenë.
Në zonën e Tepelenës rreth 100 blegtorë aplikojnë çdo vit për të përfituar nga këto hapësira të dedikuara për kullotë.
Ky proces ndihmon jo vetëm në mbështetjen e fermerëve dhe zhvillimin e blegtorisë, por edhe në menaxhimin e qëndrueshëm të tokave dhe burimeve natyrore.
"Kërkesat i kemi pak a shumë të njëjta si çdo vit. Këtë vit, duke qenë se kemi pasur kontrata me afat më të gjatë deri në 3 vjet, numri i kërkesave i bie të jetë më i ulët, por jo numri i kontratave," thotë z. Shehu.
Me hapjen e aplikimeve, blegtorët kanë mundësinë të sigurojnë kullota për bagëtitë e tyre, duke lehtësuar kështu punën e tyre dhe garantuar mirëqenien e tufave.
Ky proces mbetet një faktor kyç për zhvillimin e sektorit blegtoral në Tepelenë.