Ukraina do të duhet të bëjë lëshime në territorin që Rusia ka kapur që nga viti 2014, si pjesë e çdo marrëveshjeje për t'i dhënë fund luftës. Kështu ka deklaruar sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, sipas një raportimi nga New York Times.
“Gjëja më e rëndësishme është se Ukraina është e përgatitur për të bërë gjëra të vështira, ashtu si rusët do të duhet të bëjnë gjëra të vështira për t'i dhënë fund këtij konflikti ose të paktën ta ndalojnë atë”, theksoi Rubio, pa sqaruar se çfarë lëshimesh do të duhet të bëjnë të dyja palët.
Sekretari i Shtetit Marco Rubio u shpreh optimist lidhur me takimin e planifikuar mes zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas në Arabinë Saudite. Por Rubio shtoi se megjithatë, shumë detaje të marrëveshjes për mineralet e rralla mes Uashingtonit dhe Kievit, nuk ishin përpunuar ende. Komentet e Rubio i bëri gjatë rrugës për në qytetin saudit Xhedah, ku ai dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Mike Waltz, do të takohen të martën me një delegacion të nivelit të lartë ukrainas. Rubio tha se Uashingtoni po kërkon të krijojë një ide të përgjithshme se çfarë lëshimesh ishte gati të bënte Kievi.
Synimi, sikurse thuhet në një deklaratë zyrtare është “avancimi i objektivit të Presidentit Donald Trump për t'i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë".
Vizita vjen disa ditë pasi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i dërgoi Presidentit Trump një letër me tone pajtuese, pas takimit të nxehtë mes dy udhëheqësve në Shtëpinë e Bardhë më 28 shkurt.
Të premten e kaluar Presidenti Trump bëri komente rreth statusit të negociatave për paqe.
"Ne po përparojmë me Rusinë, por aktualisht ata po bombardojnë rëndë Ukrainën. Dhe me thënë të drejtën, me Ukrainën, po has në vështirësi të merrem vesh, në një kohë kur ata nuk kanë asnjë kartë në dorë”, tha Trump.
Si një formë presioni për t’i ulur palët në tryezën e bisedimeve, Presidenti Trump ka ndërprerë ndihmën ushtarake si dhe shkëmbimin e informacioneve të zbulimit me Kievin, ndërsa ka kërcënuar Rusinë me sanksione e tarifa.
Analistët thonë se arritja e një marrëveshjeje është e rëndësishme për Presidentin Trump nga pikëpamja politike.
“Në thelb ai (Donald Trump) ka vënë bast presidencën e tij për arritjen e një lloj marrëveshjeje. Dhe nuk e di çfarë do të ndodhë pasi ka kaq shumë ‘lojtarë’ (aktorë) me pozicione të ndryshme në këto negociata, qoftë Rusia, Ukraina, apo Bashkimi Evropian”, thotë William Pomeranz, i institutit amerikan ‘Kennan’, një institut kërkimor që kryen studime mbi Rusinë, ish-republikat sovjetike si dhe marrëdhëniet e tyre me pjesën tjetër të botës.
Përpara bisedimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës në Xhedah që pritet të zgjasin deri më 12 mars, mbështetës të Kievit u mblodhën të shtunën në Uashington ndërsa zyrtarët ukrainas denoncuan një seri sulmesh ruse gjatë fundjavës kundër objektivave ukrainas në Donetsk, krahas rajoneve të tjera.
/rtsh.al/