RTSH 24 Live

Botë

SHBA anulon 83% të programeve të USAID, Rubio: Dëmtuan interesat kombëtarë

3 orë para

SHBA anulon 83% të programeve të USAID, Rubio: Dëmtuan interesat kombëtarë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të mbyllin zyrtarisht 83 për qind të programeve të Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), që nuk përmbushin interesat e Uashingtonit.

Njoftimi erdhi nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

"5.200 kontrata të USAID-it, që janë anuluar, kanë shpenzuar miliarda dollarë në mënyra që nuk i kanë shërbyer, madje në disa raste i kanë dëmtuar interesat kombëtarë të Shteteve të Bashkuara," u shpreh z. Rubio në një postim në rrjetin social "X", duke shtuar se në konsultim me Kongresin, rreth 1 mijë programe që do të mbahen të hapura, do të administrohen në mënyrë efektive nën drejtimin e Departamentit të Shtetit.

Vendimi për mbylljen e programeve erdhi pas një procedure rishikimi që zgjati rreth gjashtë javë.

USAID-i shpërndan ndihma humanitare në të gjithë botën me programe të emergjencës dhe shëndetësore në rreth 120 vende.

Departamenti i Shtetit, që mbikëqyr USAID-in, njoftoi më 26 shkurt se synonte të shkurtonte rreth 92 për qind të financimeve për programet e agjencisë, duke identifikuar 5.800 grante për t’u eliminuar.

Në postimin e tij të së hënës, z. Rubio falënderoi veçanërisht departamentin qeveritar të eficiencës, që drejtohet nga miliarderi Elon Musk, që si synim ka reduktimin e kostove të panevojshme në departamente të ndryshme të qeverisë.

Presidenti amerikan Donald Trump dhe aleatët e tij kanë argumentuar se ndihma që u jepet organizatave të huaja është e padobishme dhe nuk iu shërben interesave amerikane.

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh.al/