RTSH 24 Live

Aktualitet

KAS rrëzon Celibashin, Kuvendit i hapet drita jeshile për projektligjin e burgjeve të hapura

3 orë para

KAS rrëzon Celibashin, Kuvendit i hapet drita jeshile për projektligjin e burgjeve të hapura

Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve rrëzoi vendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, duke i hapur dritën jeshile Kuvendit që të vijojë procedurat për projektligjin për burgjet e hapura.

"Duke iu referuar ligjit në nenin 4, citohet në mënyrë eksplicite se cilat janë përfitimet që do të ketë kjo kategori. Pra, është një kategori e të dënuarve nga 6 muaj deri në 2 vjet dhe kontratat e punës që këtyre të dënuarve do t'u siguroheshin, të cilat po ashtu përkthehen në para. Ne mendojmë që vendimi i Komisionierit Shtetëror të Zgjedhjeve është në përputhje me provat dhe me ligjin, ndaj i kërkojmë KAS-it që ta lërë në fuqi," u shpreh përfaqësuesja e KQZ-së.

Drafti i paraqitur nga kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Nasip Naço, synon lehtësimin e kushteve të izolimit të të burgosurve.

"Ne në Kodin Penal kemi edhe një sugjerim, i cili parashikohet te ligji nr. 81/2020 për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim. Nuk kemi asnjë rast nga gjykata që në vitet e fundit të japë vendime me gjysmë liri. Gjithashtu, nëse ne e mbajmë këtë projektligj të pandryshuar janë rreth 500 të dënuar, të cilët duhet të ishin te burgu i sigurisë së ulët, por rrinë te burgu i sigurisë së zakonshme. Kjo më shumë ka të bëjë me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, sesa me përfitimet nga ana ime apo nga mazhoranca për efekte elektorale," deklaroi z. Naço.

Vendimi i KAS-it vjen pas ankimimit të depozituar nga Kuvendi i Shqipërisë ndaj vendimit të Celibashit, i cili kishte argumentuar se ky ligj shkelte Kodin Zgjedhor dhe mund të përdorej për fushatë elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Gazetar: Hajri Mahmutaj

/rtsh.al/