RTSH 24 Live

Politikë

Kuvend- Berisha akuza PS: Varfëruat qytetarët. Balla: Kemi trefishuar të ardhurat për frymë

5 orë para

Kuvend- Berisha akuza PS: Varfëruat qytetarët. Balla: Kemi trefishuar të ardhurat për frymë

Seanca e sotme plenare nisi me një minutë heshtje në nderim të ish-deputetit socialist, Andis Harasani, i cili u nda nga jeta ditën e diel (9 mars), pas një beteje me një sëmundje të rëndë.

Nuk munguan edhe debatet mes maxhorancës dhe opozitës në këtë seancë, teksa kreu i PD-së, Sali Berisha akuzoi shumicën socialiste se ka varfëruar shqiptarët me ligjet dhe vendimet e miratuara.

 “Do hyni në histori si narkoparlamenti sepse ju për herë të parë në historinë 34-vjeçare votuat me dhjetëra ligje e vendime me të cilat varfëruar gjithnjë e më shumë qytetarët, shumëfishuat rrogat  tuaja dhe rrogat e larta të zyrtarëve dhe kur erdhi puna te pensionet, ju latë një shumë qesharake dhe padrino juaj deklaroi se nëse lëvizim pensionet minimale, Shqipëria merr fund dhe biem në katastrofë. Ju me ligjet e vendimet tuaja, thelluat ne mënyrë të tmerrshme hendekun mes të pasurve e të varfërve në Kuvend. Në katër vitet tuaja të zeza, kanë ikur nga Shqipëria më shumë se çdo kohë tjetër, përfshirë vitin ‘91 të daljes nga periudha komuniste. U bëtë mburojë e plaçkitjes më të madhe të pronave publike nga deputetë tuaj nga kreu juaj i buxhetit”, tha Berisha.  

Ministri Taulant Balla iu përgjigj me shifra, teksa tha se gjatë qeverisjes socialiste, të ardhurat për frymë janë trefishuar.

Kur ne morëm detyrën, pensioni në Shqipëri ishte vetëm 86 euro, ndërkohë që në 2024, pensioni mesatar arriti në vlerën 175 euro dhe premtimi ynë është që në fund të mandatit ët 4, 400 euro do të jetë pensioni në Shqipëri, ndërsa sa i përket pensionit minimal dhe atë në fshat, ne synojmë ta çojmë 200 euro. Sa i përket  pensioneve ne nuk hymë në diskutim me ju sepse në vitin 2013 e gjetëm skemën e pensioneve të falimentuar. Tha njëri që foli këtu se shqiptarët sot janë më të varfër. Po si, kur të ardhurat për frymë janë trefishuar nga momenti kur ne morëm detyrën dhe ne angazhohemi t’i rrisim edhe me 40% të tjera brenda mandatit tonë të ri. Në vitin 2030, synimi ynë është që t’i çojmë të ardhurat për frymë mbi 14 mijë euro, ose pothuajse 5 herë më shumë sesa i gjetëm ku ju populli shqiptar  ju pushoi nga puna në vitin 2013”, u përgjigj Balla.

Kjo është seanca e parafundit plenare, teksa pas seancës së 20 marsit, Kuvendi do të ndërpresë punimet për t’i lënë hapësirë fushatës për zgjedhjet e 11 majit. Ky sesion do të mbyllet më 9 shtator.

/rtsh.al/