Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka mbërritur në Arabinë Saudite për një takim me princin e kurorës, Mohammed bin Salman, vetëm një ditë përpara negociatave të vështira me zyrtarët amerikanë për përfundimin e luftës me Rusinë.
Ndërsa SHBA-ja, dikur aleati kryesor i Ukrainës, ka ndryshuar qasjen e saj duke shtyrë për një zgjidhje të shpejtë të konfliktit, Zelensky përballet me sfida të mëdha për të siguruar garancitë e sigurisë për Kievin. Uashingtoni ka reduktuar ndihmën ushtarake dhe shkëmbimin e inteligjencës me Ukrainën, duke zhvilluar paralelisht bisedime të drejtpërdrejta me Moskën për t’i dhënë fund luftimeve.
Arabia Saudite ka luajtur një rol ndërmjetësues që nga nisja e pushtimit rus në vitin 2022, përfshirë shkëmbimin e të burgosurve dhe organizimin e negociatave mes Rusisë dhe SHBA-së muajin e kaluar. Takimi mes Zelenskyt dhe princit saudit mund të jetë një përpjekje për të forcuar mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën përpara bisedimeve kritike me Uashingtonin.
Më 11 mars, zyrtarët amerikanë dhe ukrainas do të takohen për të diskutuar perspektivën e paqes, në negociatat e para që nga takimi mes Zelenskyt dhe Presidentit të SHBA, Donald Trump, në Zyrën Ovale.
Nën presionin e Trump-it, i cili kërkon një përfundim të shpejtë të luftës, Zelensky nuk ka arritur ende të sigurojë garanci të qarta sigurie nga SHBA-ja. Në këtë kontekst, presidenti ukrainas ka konfirmuar se Kievi është i gatshëm të nënshkruajë një marrëveshje për mineralet me SHBA-në, që do të krijonte një fond të përbashkët nga shitja e pasurive minerare të Ukrainës.
/rtsh.al/