RTSH 24 Live

Politikë

Erion Veliaj nesër në Apel për masën e sigurisë: Gjyqi ndaj meje, si gjykimet histerike të komunizmit

6 orë para

Erion Veliaj nesër në Apel për masën e sigurisë: Gjyqi ndaj meje, si gjykimet histerike të komunizmit

Më 11 mars, në orën 10:00, Gjykata e Posaçme e Apelit do të shqyrtojë ankimimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ndaj masës së sigurisë “arrest me burg”. Vendimi për arrestimin e tij u mor në kuadër të një hetimi të nisur nga SPAK, që përfshin gjithashtu bashkëshorten e Veliajt dhe gjashtë biznesmenë.

Në një postim në rrjetet sociale, Veliaj e cilëson këtë proces si politik dhe akuzon SPAK-un për presion dhe hetime të padrejta. Ai shprehet se kjo situatë kujton metodat e regjimit komunist dhe se largimi i tij nga detyra pa një proces të rregullt gjyqësor është “grusht ndaj qytetit dhe votuesve të Tiranës”.

“Përshëndetje miq, pas një muaji izolim, nesër do të rikthehem për të mbrojtur veten, familjen, por edhe çdo shqiptar, që beson se: Letrat anonime janë pjesa më e shëmtuar e regjimit që lamë pas e s’kanë vend në Shqipërinë moderne. Shpallja “i dënuar” pa gjyq që në nisje, ndodhte në ditët më të errëta të ferrit komunist, por jo në një demokraci europiane. Hetimi i biografisë personale apo vetting-u i paligjshëm, si ky imi për 20 vjet, ndodhte vetëm në kohën e Sali Enverit, por jo sot në shek. XXI.

Kërkesa për pendesë ende pa akuzë, ngjan me gjyqet popullore histerike në vitet ‘60, por jo në 2025. Persekutimi i familjes nga një noter nga babi, me 5-a, pa meritë e pa ligj, ndërtues në konflikt interesi, nuk mund të jetë etaloni i Reformës në Drejtësi. Lënia e kryeqytetit pa drejtim nga i votuari i njerëzve me një të rënë të lapsit është, në mos grusht shteti, grusht ndaj qytetit, punëve të tij dhe votuesve të Tiranës”, shkruan Veliaj.

“Më shumë do të them nesër në seancë!”, shkruan ai, duke theksuar se do të mbrojë jo vetëm veten dhe familjen, por edhe çdo qytetar që beson në parimet e demokracisë dhe drejtësisë.

“Shteti me “Uacap” në ditë pushimi, nga militantë të zellshëm të Saliut, sot hetues të Olsit, është fyerje ndaj reformës ku besuam të gjithë. Trajtimi i sipërmarrësve si “kulakë” dhe përgjimi i njerëzve të biznesit pa fakte, i përket Shqipërisë së pas luftës, jo të demokracisë. Presioni ndaj dëshmitarëve, duke iu kujtuar burgun, prindërit e fëmijët, u përket xhelatëve të një regjimi, jo demokracisë. Prezumimi i pafajësisë është detyrim për standard Europian, dhe jo histeri kolektive e banaqeve, portaleve dhe kundërshtarëve që me votë i mundëm 7 herë në Tiranë, e veç me dhunë mund të na heqin nga fushata. Më shumë do të them nesër në seancë! Shpresoj të jeni mirë! Kush po agjëron, e pastë sa më të lehtë, e kush më ka menduar e më ka mbajtur në lutje, Zoti ju bekoftë!”, shkruan Veliaj në facebook.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u arrestua me 10 shkurt i akuzuar nga SPAK për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave. Sipas SPAK, Veliaj akuzohet se së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa kishte krijuar një skemë korruptive për transferimin e fondeve nga Bashkia e Tiranës apo kontraktorë të saj në drejtim të një grupi OJF-sh apo personash fizikë, që sipas SPAK kontrolloheshin nga Xoxa.

Vetë Veliaj është shprehur se hetimet ndaj tij janë politike dhe është arrestuar pa gjyq, ndërsa akuzon prokurorin e çështjes Ols Dado se është në konflikt interesi dhe se merr urdhra nga kryedemokrati Sali Berisha.

/rtsh.al/