Kryeministri Edi Rama ka lënë të hapur mundësinë që të mos jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme të 11 majit, duke i dhënë përparësi të rinjve dhe një gare të barabartë brenda Partisë Socialiste.
"Vendimin për veten time nuk e kam marrë ende plotësisht mund të mos jem edhe fare në listë duke qenë deputet i të gjithëve me këtë detyrë që kam dhe të mos i zërë vendin askush”, tha Rama.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama u shpreh se procesi i përpilimit të listës ende nuk është përmbyllur, ndërsa theksoi se kushdo që nuk dëshiron të jetë pjesë e listës së hapur, duhet ta bëjë me dije. Rama tha se asnjë deputet që ka marrë më shumë se një mandat nuk do të ishte në listën e mbyllur, por kjo nuk vlen për drejtuesit politik.
Kryeministri theksoi se përfshirja e drejtuesve politikë në listën e hapur do të krijonte pabarazi dhe do të çorientonte skuadrën, pasi ata do të fokusoheshin te votat për veten e tyre, duke mos garantuar një proces të drejtë për të gjithë kandidatët.
“Nuk kemi përmbyllur ende të gjithë procesin për listën e kandidatëve dhe do të përmbyllet në kryesinë e PS. Ajo që dua të ndaj është se cilido dhe cilado prej jush që nuk pranon të jetë në listën e hapur duhet ta bëjë me dije te drejtuesi politik. Parimi themelor i listës së re do te jetë asnjë deputet që ka marrë qoftë edhe një mandat nga PS nuk do të jetë në listën e mbyllur. Është e drejta e kujtdo që nuk dëshiron të jetë apo jo në listën e hapur por duhet të na thotë më parë. Parimisht luftën duhet ta bëjnë ata që kanë më shumë eksperiencë dhe që kanë marrë më shumë nga votuesit dhe nga PS. Patjetër që në listën e hapur do të ketë edhe plot të rinj dhe të reja. E dyta diskutimi ka qenë se unë e kam shpresuar që drejtuesit politik duhet të jenë në listën e hapur, por problemi këtu është se kjo do të sillte një çoroditje dhe pabarazi në të gjithë procesin sepse nuk do të lejonte asnjë barazi në garë dhe nuk do të garantonte asnjë lloj drejtimi të vërtetë politik të garës. Drejtuesit politik do të ishin të fokusuar për të marrë vota për vetë dhe do të krijonin pabarazi në proces, pasi me statusin që kanë ato duhet të garantojnë hapësirë të barabartë për të gjithë kandidatët për deputet. Kjo pabarazi do të çorientonte të gjithë skuadrën, në një kohë që na duhet sa më kompakte. Kush futet në listën e hapur duhet të jetë i barabartë në garë”, tha Rama.
Rama nënvizoi se prioriteti kryesor është ndërtimi i një ekipi kompakt dhe një gare të barabartë, ku përfaqësimi i të rinjve do të jetë kyç për Partinë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme.
“Ka një diskutim të brendshëm se çfarë kanë kontribuar të rinjtë dhe të rejat që të jenë në listën e mbyllur, unë kam këndvështrim tjetër. Mendoj pse janë më të rinj dhe ftohen dhe përfshihen për t’i dhënë një transfuzion të fuqishëm gjaku PS-së duhet të jenë aty. Dhe të tjerët që kanë qenë në PS duhet të jenë në fushë për të marrë sa më shumë vota”, tha ai.
/rtsh.al/