RTSH 24 Live

Politikë

Rama: 11 maji duhet të jetë vula e popullit për mandatin e katërt. PS, garancia për reformën në drejtësi

8 orë para

Rama: 11 maji duhet të jetë vula e popullit për mandatin e katërt. PS, garancia për reformën në drejtësi

Zgjedhjet e 11 majit kanë qenë në fokus të mbledhjes së sotme të grupit parlamentar socialist.

Në nisje të fjalës së tij, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se 11 maji duhet të shënjojë vulën e popullit shqiptar për mandatin e katërt të Partisë Socialiste, që sipas tij, do të jetë mandati më i fortë që socialistët kanë pasur ndonjëherë, kjo e lidhur me shumë arsye, kryesorja e të cilave mbetet garancia për reformë në drejtësi.

“Pa u futur në BE, pa u bërë anëtarë të BE, mbetet e rëndësishme se kush qeveris në Shqipëri për të ardhmen e reformës në drejtësi.

Ne jemi garancia, të tjerët janë përbetuar se do kthjenë mbrapsht reformën dhe do shkrijnë institucionet e reja të drejtësisë dhe do neutralizojnë SPAK-un.

Shqiptarët duhet të na japin mandatin më të fortë që kemi pasur ndonjëherë se me këtë mandat e di unë se çfarë bëj me Amerikën, NATO-n, me dinjitet e garanci se asgjë s’lëviz. Në momentin që hyjmë në BE.

BE u duhet shqiptarëve përtej interesave financiare, për të garantuar lirinë individuale, barazinë para ligjit sepse sot garantët e vetëm të proceseve të nisura të institucioneve të reja të drejtësisë, jemi ne.

11 maji duhet të jetë vetëm vula e vullnetit popullor për ti dhënë mandatin e 4-të PS  në mënyrë që ne të përmbyllim procesin që të mos kemi më asnjë ditë për të humbur”, deklaroi Rama.

Por zgjedhjet e 11 majit, sipas kryeministrit Edi Rama, nuk i duhen PS-së thjesht dhe vetëm si një fitore mes partive politike, por për t’u siguruar qytetarëve shqiptarë anëtarësimin me të drejta të plota në Bashkimin Evropian.

Ai përsëriti edhe njëherë se anëtarësimi në BE sot është më shumë se asnjëherë një çështje ekzistenciale për popullin dhe shtetin shqiptar.

Rama theksoi se për herë të parë në historinë shqiptarë është hapir një dritare në marrëdhëniet BE-Shqipëri, ambicia e të cilave përputhet plotësisht me dëshirën e aleancës euroatlantike për të futur në familjen e saj të madhe, edhe vendin tonë.

“Këto zgjedhje zhvillohen në një kontekst dyfish të jashtëzakonshëm: marrëdhëniet tona në BE dhe anasjelltas; anëtarësimi i Shqipërisë në aleancën euroatlantike dhe sigurisë në tërësi.

Për të dyja këto arsye madhore, zgjedhjet e 11 majit, nuk janë aspak të zakonshme dhe rezultati i 11 majit është më shumë se rezultat i partive politike, është më shumë se fitore e PS në vetvete.

Për ne si familje politike dhe flamurin tonë, ka qenë gjithmonë e rëndësisë së veçantë të fitojmë zgjedhjet, por në 11 maj, rëndësia e fitores së zgjedhjeve dhe vetë rezultati i tyre, kanë një peshë mbi të ardhmen e afërt të vendit.

Për herë të parë është hapur një dritare siç është sot në marrëdhëniet e Shqipërisë në BE. Për herë të parë, dëshira dhe ambicia jonë për t’u bërë pjesë me të drejta të plota në BE përputhet me dëshirën e BE-së për të përfshirë në familjen e vetë, Shqipërinë.

Kemi dakordësuar me BE një kalendar të negociatave dhe qysh nga viti i kaluar që filloi të zbatohet procesi i negociatave, pas procesit screening, shpejtësia me të cilën ne kemi përparuar në hapjen e kapitujve, është e paprecedentë.

Kalendari që na kanë dhënë është të mbyllim negociatat më 2027. Ndërkohë që ne flasim sot, në këtë orë, janë rreth 1 mijë persona të angazhuar në shtetin shqiptar që punojnë për negociatat.

Janë afro 40 drejtues të grupeve negociatore dhe është një strukturë e cila është baza e suksesit të negociatave”, u shpreh ai.

/rtsh.al/