Në shtator, nxënësit dhe mësuesit e Kamzës do të kenë në dispozicion një shkollë të re me kushte moderne dhe standarde europiane. Shkolla 9-vjeçare “Angela Merkel” do të mirëpresë 1300 nxënës në një ambient bashkëkohor, duke ofruar 38 klasa komode, 10 laboratorë, bibliotekë, terrene sportive dhe hapësira rekreative.
Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministren e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu dhe Kryetarin e Bashkisë së Kamzës Rakip Suli, inspektuan shkollën e re, duke e cilësuar atë si një investim shembullor për arsimin.
“Shumë bukur, ky është një projekt që duhet të jetë krenaria e studios suaj të arkitekturës. Këto janë shkolla që mes Parisit nuk i gjen se janë ndërtuar nga e para dhe nuk janë më të vjetra, këto janë shkolla spektakolare. Kamza është shëmbëlltyrë spekakolare, në Kamëz nuk pritej, se në Tiranë pritej. Kamza është befasia e gjithë rilindjes”, u shpreh Kryeministri Rama.
Nga ana e saj, ministrja Manastirliu tha se shkolla është ndërtuar me standardet më të larta, duke garantuar një mjedis të sigurt dhe cilësor për nxënësit.
“Kjo është një shkollë e standardeve europiane, edhe nga pikëpamja e gjithë shërbimeve që do të ofrojë sepse shkolla qendër komunitare merr vlerë pikërisht këtu nga hapësira që ajo ofron. Hapësira e jashtme, palestra, biblioteka, të gjitha këto janë të aksesueshme dhe pa hapur klasat”, tha Manastirliu.
Kryebashkiaku Suli theksoi se kjo është shkolla e 19 e ndërtuar në Kamzë gjatë katër viteve të fundit, duke e çuar numrin total të objekteve arsimore në 40, për të përballuar rritjen e numrit të nxënësve në këtë zonë.
“Kamza shkon 20 mijë nxënës nga klasa e parë deri në 12 dhe mendojmë se ka qenë investimi më i rëndësishme dhe më i duhur në bashkinë Kamzë, falë mbështetjes së qeverisë që ka qenë e jashtëzakonshme”, tha Suli
Me hapësira të dedikuara jo vetëm për mësimdhënien, por edhe për aktivitetet sociale dhe rekreative, shkolla “Angela Merkel” pritet të jetë një pikë kyçe për komunitetin e Kamzës dhe zonave përreth.
/rtsh.al/