RTSH 24 Live

Aktualitet

Punët në bujqësi, moti i mirë favorizon fermerët

5 orë para

Punët në bujqësi, moti i mirë favorizon fermerët

Ditët me diell po ndihmojnë fermerët në punimet bujqësore. Një prej tyre është Besnik Visha nga fshati Kolesjan, i cili po përgatit tokën për mbjelljen e misrit.

Ai merret me bujqësi që prej vitit 1990 dhe ende përdor kalin si ndihmës për shkak të terrenit të thyer dhe rrugëve të ngushta.

"Kalin e kam në shtëpi prej 33 vjetësh. Nuk futet zetori këtu, se është rruga shumë e ngushtë, e bllokuar. Kali ndihmon shumë, futet në çdo vend. Po s'pate këtë duhet ikur nga fshati," tregon fermeri.

Ai thekson rëndësinë e punimit të kujdesshëm të tokës për të pasur prodhim të mirë.

"Po s'i bëre shërbim tokës është e kotë të lodhesh. Është më e ndershme të mos e mbjellësh fare sesa të punosh dhe të mos marrësh asgjë," thotë z. Visha.

Megjithatë, ai është i kënaqur me rezultatet e punës dhe me prodhimin që i siguron toka çdo vit.

"Të jesh në fshat, tokën duhet ta punosh, se nuk je në qytet," thekson ai.

Shumica e fermerëve në zonë janë drejt përfundimit të punimeve dhe përgatitjes së tokës për sezonin e ri, duke shfrytëzuar motin e përshtatshëm për bujqësinë.

Gazetar: Dashmir Shehu

/rtsh.al/