RTSH 24 Live

Sociale

Rriten rastet me aritmi, mjekët thonë se problem tek të rinjtë janë pijet e duhani

4 orë para

Rriten rastet me aritmi, mjekët thonë se problem tek të rinjtë janë pijet e duhani

Konsumimi i pijeve të caktuara nga të rinjtë ka shtuar rastet me aritmi dhe hipertension, kryesisht tek adultët 18–20 vjeç.

Mjekët kardiologë thonë se pacientë të kësaj grupmoshe, të cilët janë konsumues të rregullt të pijeve të caktuara, paraqiten me rrahje të shpeshta të zemrës. 

Edhe pse pije të caktuara promovohen si një mënyrë për të rritur performancën fizike ose mendore, konsumi i tepërt i tyre shoqërohet me efekte anësore kardiovaskulare.

Mjekja kardiologe pranë QSUT, Daniela Teferiçi, thotë se kohët e fundit janë shtuar rastet me aritmi, veçanërisht tek 20-vjeçarët.

Ata që konsumojnë pije energjike, ankesën kryesore kanë rrahjet e shpeshta të zemrës. Ka 18- dhe 19-vjeçarë që vijnë me hipertension. Unë kam pasur dy persona. Edhe pse ishin të shëndetshëm dhe në moshë të re nuk po u gjenim shkakun pse vinte ky hipertension, kur çdo gjë ishte në rregull. Ata ishin konsumatorë të pijeve energjike,” tregon kardiologia.

Duhani gjithashtu shkakton dëm të njëjtë sikundër diabeti.

Mjekja pohon se të rinjtë janë më indiferentë kur bëhet fjalë për kontrollet mjekësore.

Duhani është faktor rreziku arterosklerotik të zemrës. Është një faktor i modifikueshëm rreziku. Moshat mbi 60 vjeç në përgjithësi janë më të kujdesshëm, ndërsa moshat e reja janë më pak të ndërgjegjësuar. Po flasim për parandalim primar pa u shfaqur sëmundja,” shprehet Dr. Teferiçi.

Mjekët bëjnë thirrje për më shumë vëmendje ndaj problemeve kardiovaskulare, duke mos neglizhuar asnjë simptomë.

Gazetare: Elda Hasanbelli

/rtsh.al/