RTSH 24 Live

Sociale

Aplikimi i vaksinave të gripit, interes i shtuar nga banorët në Kukës

10 orë para

 Aplikimi i vaksinave të gripit, interes i shtuar nga banorët në Kukës

Në të gjithë rrethin e Kukësit që nga muaji nëntor ofrohet vaksina e gripit në të gjithë qendrat shëndetësore.

Sipas Shefes së Epidemiologjisë dhe Shëndetit Mjedisor, Denisa Duraku, interesi për aplikimin e vaksinës së gripit këtë vit ka qenë më i lartë.

“Fushata e vaksinimit të gripit ka filluar në fund të muajit tetor dhe ka ecur në ritme shumë të mira duke pasur interes shumë të lartë nga grupet e riskut në veçanti. Qytetarët drejtohen te mjekët e familjes ku marrin informacionin e nevojshëm dhe aplikojnë këtë vaksinë e cila ofrohet falas në çdo qendër shëndetësore.

Aplikimi bëhet në qendrat shëndetësore pranë mjekut të familjes, prandaj qytetarët duhet të kenë një kontakt me mjekun e familjes pasi aty kanë dhe kartelat e tyre të vaksinimit dhe ku bëhet biseda dhe vendoset për aplikimin e kësaj vaksine. Fushata e vaksinimit përfundon në fund të muajit mars.

Grupmosha më e interesuar është ajo e tretë, pra të moshuarit dhe pacientët me sëmundje kronike”, u shpreh Duraku.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka siguruar 20 mijë doza më shumë se një vit më parë dhe do të vijojë të kryhet për grupet e riskut sipas një kalendari të përcaktuar nga strukturat e shëndetësisë.

/RTSH/