RTSH 24 Live

Ekonomi

20 shtetas indianë po punojnë për rikonstruksionin e spitalit të Gjirokastrës

5 orë para

20 shtetas indianë po punojnë për rikonstruksionin e spitalit të Gjirokastrës

Spitali i Gjirokastrës po rikonstruktohet me fuqi punëtore indiane.

Abzelkani është një prej tyre.

22-vjeçari shprehet se e ka pasur ëndërr të vinte në Shqipëri dhe tashmë prej disa ditësh gjendet në Gjirokastër, i rekrutuar nga kompania që ka marrë përsipër kryerjen e punimeve.

"Ndodhem këtu që nga 27 janari. Ishte ëndrra ime që të vija në Shqipëri. Kam ardhur të punoj dhe lekët ia transferoj familjes sime në Indi. Aty kam lënë tri motra, vëllain dhe prindërit. Është përgjegjësia ime t'u siguroj atyre një jetë më të mirë. Pas një viti do të kthehem aty një muaj dhe do të vij këtu për të vazhduar punën," shprehet punëtori nga India.

Alfred Qendro, përfaqësuesi i një firme ndërtuese, thotë se mungesën e fuqisë punëtore prej një viti kanë filluar ta zgjidhin me kontraktimin e  të huajve përmes agjencive të punësimit.

Në dy kantiere ndërtimi aktualisht dominojnë si punëtorë krahu 40 shtetas indianë.

"Janë të sektorëve të ndryshme, si kallëpet, hekurkthyes, suvaxhinj, inxhinierë elektrikë dhe inxhinierë topografë, sepse tregu shqiptar ka shumë mungesa për punëtorë. Jemi të detyruar të marrim punëtorë të huaj. Midis tyre ka edhe shqiptarë. Në këto moment dominojnë. Kontratat janë të rregullta, 1-vjeçare. Kanë të drejtën të kthehen një muaj në vendin e tyre dhe të rivijnë në punë," shprehet z. Qendro.

Pagat e punonjësve variojnë nga 45 deri në 100 mijë lekë, ndërsa kjo kompani synon që numrin e tyre ta çojë në 100.

Gazetare: Y. Ponde

/rtsh.al/