RTSH 24 Live

Kosovë

Rrëmbimi i 3 policëve në veri, Kurti: Të lirohen menjëherë! Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion

14/06/2023

Rrëmbimi i 3 policëve në veri, Kurti: Të lirohen menjëherë! Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar në lidhje me rrëmbimin e 3 efektivëve të Policisë së Kosovës në Leposaviç të vendit nga Policia serbe.

Në një postim në Facebook, Kurti e konsideron rrëmbimin e efektivëve si hakmarrje të Serbisë për arrestimin e Millun Millenkoviq – Lune, i dyshuar si organizatori i sulmeve ndaj KFOR.

Kurti kërkon lirimin e menjëhershëm të efektivëve, ndërsa thekson se hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është “agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim”

"Tre zyrtarë të policisë së Kosovës janë rrëmbyer sot në Leposaviq në vendin ku dikur kishte një rrugë ilegale të kontrabandës e që ndodhet rreth 300 metra në brendësi të territorit të shtetit tonë. Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq - Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës. Policia e Kosovës është treguar tejet e vetëpërmbajtur këto javët e fundit. Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policor dhe ftojmë faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë”, shkruan Kurti.

Policia e Kosovës njoftoi se tre efektivë të saj në pikën kufitare Tresave/Bare janë rrëmbyer nga forcat serbe. Ministri i Brendshëm i Kosovës tha se rrëmbimi është kryer 300 metra në brendësi të territorit të Kosovës, ndërkohë ministria e Brendshme e Serbisë, duke e konsideruar arrestim, thotë se efektivët kanë qenë brenda në territorin serb.

/rtsh.al/