RTSH 24 Live

Kosovë

Policia e Kosovës: Forcat serbe rrëmbyen 3 efektivë kufitarë! Media serbe: 3 policët u kapën të armatosur brenda territorit serb

14/06/2023

Policia e Kosovës: Forcat serbe rrëmbyen 3 efektivë kufitarë! Media serbe: 3 policët u kapën të armatosur brenda territorit serb

Arrestimi i tre policëve kufitarë të Kosovës ka nxitur një konflikt të ri mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa policia e Kosovës thotë se ato janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës, Serbia pretendon se ato u kapën të armatosur brenda territorit të saj.

Policia e Kosovës ka njoftuar se tre efektivë të saj në pikën kufitare Tresave/Bare janë rrëmbyer nga forcat serbe. Sipas policisë "efektivët e rrëmbyer kanë njoftuar se kanë pikasur persona të maskuar dhe të armatosur dhe kanë kërkuar përforcime".

Policia e Kosovës sqaron se me të mbërritur forcat përforcuese të policisë është gjetur vetëm makina e efektivëve por jo policët kufitarë që bënë lajmërimin dhe patrullonin në zonë.

Sipas policisë dyshohet se tre efektivët e Kosovës janë rrëmbyer nga forcat serbe.

Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë. Sot, në mesditë nga njësiti policor i cili ishte në përbërje prej tre zyrtarëve kufitar, kanë njoftuar se në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së.

Me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare por jo edhe vet zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion. Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policor janë kidnapuar nga forcat serbe. Me qëllim që të ndërmerren veprime konkrete për sigurinë e zyrtarëve policorë që dyshohet të jenë kidnapuar nga forcat serbe, janë kontaktuar të gjitha mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar që të njëjtit të lirohen sa më parë dhe të kthehen në Polici të Kosovës. Po ashtu edhe media të ndryshme serbe kanë raportuar se pjesëtarët e njësiteve speciale serbe, kanë arrestuar zyrtarët e Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Një version krejt tjetër tregon policia serbe, ku sipas saj efektivët e Kosovës janë arrestuar pasi ndodheshin të armatosur brenda territorit serbë. Media serbe Tanjug shkruan se efektivët e Kosovës “janë kapur në thellësi të territorit të Serbisë qendrore”.

Sipas medias serbe “tre të arrestuarit ishin të armatosur me armë automatike dhe GPS, harta dhe pajisje të tjera”.

“Efektivët e Kosovës do të kryenin një akt terrorist me qëllim të destabilizimit dhe përshkallëzimit të konfliktit kundër Serbisë’, thuhet në shkrim.

Për ngjarjen ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili thotë se kriminelët serbë kanë hyrë në territorin e Kosovës dhe kanë rrëmbyer 3 efektivët.

Sveçla thotë se kjo ka ndodhur brenda territorit të Kosovës dhe akuzon Serbinë se është shkaktar i trazirave në vend. Ministri i Brendshëm i Kosovës i bën thirrje ndërkombëtarëve të ushtrojnë presion ndaj Serbisë që të lirojë efektivët dhe të ndalë provokimet.

“Përderisa rendi dhe ligji po zbatohet në vendin tonë, Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar 3 zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës, në shkelje të çdo marrëveshje e kundër çdo parimi të normave ndërkombëtare.

Pa asnjë dyshim, zyrtarët tanë policorë kanë qenë të vendosur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në pikë kontroll statik, duke kryer detyrat e tyre të rregullta.

Serbia po vazhdon të jetë shkaktar dhe gardian i së keqes në rajon e në Kosovë. Ne nuk zmbrapsemi para kriminelëve e terroristëve. Serbia po tregon përsëri fytyrën e saj të vërtetë dhe atë të një shteti autokrat e agresor.

Kërkojmë nga faktori ndërkombëtar të rrisë urgjentisht presionin ndaj Serbisë që jo vetëm të lirojë zyrtarët tanë policorë por edhe të ndalë provokimet e saj.

Sjellje të tilla kriminale të Serbisë nuk na ndalin në rrugëtimin tonë të forcimit të sovranitetit në vend”, shkruan Sveçla në facebook.

/rtsh.al/