Polonia dhe Hungaria kanë rënë dakord që të ndalojnë përkohësisht importet e drithërave dhe dhjetëra produkteve të tjera ushqimore nga Ukraina.
Sipas Polonisë dhe Hungarisë, ky veprim vjen për të mbrojtur fermerët vendas në vështirësi pas tepricës së drithit ukrainas në treg.
Problemet logjistike në Evropën Qendrore kanë shkaktuar grumbullimin në dyqane të drithërave dhe rënien e çmimeve, duke shkaktuar protesta nga fermerët si dhe dorëheqjen e ministrit të Bujqësisë së Polonisë.
Udhëheqësi i Partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS) në Poloni, Jarosłaë Kaczyński, tha se fshati polak po përballet me një "moment krize". Sipas tij, megjithëse Polonia mbështet Ukrainën, ajo u detyrua të veprojë për të mbrojtur fermerët e saj.
Ministria e Politikës Agrare e Kievit e ka dënuar vendimin si drastik dhe të njëanshëm, duke argumentuar se fermerët ukrainas po përballeshin me situatën më të vështirë duke pasur parasysh pushtimin e Rusisë.
Një zëdhënës i qeverisë polake tha se është gati të nisë bisedimet me Ukrainën për të zgjidhur çështjen e grurit.
Qeveria hungareze tha se pret ndryshime në rregulloret evropiane, duke përfshirë një rishikim të vendimit të vitit të kaluar për të hequr të gjitha tarifat e importit për produktet bujqësore të Ukrainës, transmeton Euronews.
Hungaria nuk dha detaje se kur do të hynte në fuqi ndalimi për importet e grurit dhe ushqimeve të tjera. Si Varshava ashtu edhe Budapesti bënë të ditur se ndalimet e importit do të mbeten në fuqi deri më 30 qershor.
/rtsh.al/