RTSH 24 Live

Botë

Shefi i NATO-s: Trump do na bëjë presion për shpenzimet e Aleancës

4 orë para

Shefi i NATO-s: Trump do na bëjë presion për shpenzimet e Aleancës

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka deklaruar se presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump mund të bëjë presion më të madh për shpenzimet e mbrojtjes.

Duke folur për Agjencinë Gjermane të Lajmeve (DPA), Rutte tha se disa anëtarë të NATO-s si Gjermania kanë shpenzime relativisht të ulëta për mbrojtjen, ndërsa shpjegoi se pret që presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump të ushtrojë presion mbi disa anëtarë të NATO-s që të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen.

“Trump do të na kërkojë të bëjmë më shumë dhe ai ka të drejtë ta bëjë këtë. Ne duhet të bëjmë më shumë”, tha Rutte.

Kreu i NATO-s vuri në dukje se aktualisht nuk e sheh rrezikun që Rusia të sulmojë territorin e Aleancës, por shtoi se është i shqetësuar për të ardhmen.

Nëse nuk i rrisim shpenzimet e mbrojtjes, do të kemi problem serioz brenda 4-5 viteve. Nuk duhet të kemi frikë tani, por jam i shqetësuar në planin afatgjatë”, tha Rutte.

Duke nënvizuar se duhet të forcojnë industrinë e mbrojtjes dhe të zgjerojnë prodhimin, Rutte theksoi se “meqenëse ne nuk mund të prodhojmë pajisje të mjaftueshme ushtarake për t'u mbrojtur në afat të gjatë, duhet të krijohen linja dhe ndërrime shtesë prodhimi. Kemi ende kohë për t'u përgatitur për të parandaluar një luftë në territorin e NATO-s. Por, ne duhet të veprojmë tani”.

Ai theksoi se Gjermania në politikën e saj për Ukrainën duhet të marrë parasysh pozicionin e saj dhe kërcënimet e sigurisë.

/rtsh.al/