RTSH 24 Live

Botë

Trump kërkon uljen e tarifave të Kanalit të Panamasë ose ri-kthimin e tij nën kontrollin e SHBA-së

9 orë para

Trump kërkon uljen e tarifave të Kanalit të Panamasë ose ri-kthimin e tij nën kontrollin e SHBA-së

Presidenti i sapo zgjedhur Donald Trump ka kërkuar nga Panamaja të zvogëlojë tarifat për përdorimin e Kanalit, ose përndryshe ta kthejë atë nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara. Gjatë një fjalimi përpara mbështetësve në Arizona, Trump akuzoi autoritetet e Panamasë për ngarkimin e "çmimeve të tepruara" për anijet amerikane, duke i cilësuar këto tarifa si "qesharake" dhe "të padrejta".

"Ky shkatërrim i plotë i vendit tonë do të ndalet menjëherë," tha ai, duke iu referuar periudhës pas marrjes së detyrës si president muajin e ardhshëm. Komentet e Trump shkaktuan një reagim të menjëhershëm nga presidenti i Panamasë, José Raul Mulino, i cili theksoi se Kanali i Panamasë dhe territori përreth janë pjesë e sovranitetit të Panamasë dhe se pavarësia e vendit të tij është e panegociueshme.

Vërejtjet e Trump pasuan një postim të mëparshëm, ku ai e cilësoi Kanalin e Panamasë një "aset kombëtar jetik" për Shtetet e Bashkuara. Trump shtoi se, nëse tarifat e transportit nuk do të uleshin, SHBA do të kërkonte që kanali të "kthehej plotësisht dhe pa diskutim" në kontrollin e Shteteve të Bashkuara.

Kanali i Panamasë, që shtrihet në një distancë prej 82 kilometrash, lidh Oqeanin Atlantik dhe Paqësorin, dhe është një nga rrugët më të rëndësishme të transportit detar në botë.

/rtsh.al/