RTSH 24 Live

Botë

Zyrtarët në Gazë:  Mes të vrarëve edhe fëmijëve në sulmet izraelite

6 orë para

Zyrtarët në Gazë:  Mes të vrarëve edhe fëmijëve në sulmet izraelite

Të paktën 28 ​​persona, përfshirë fëmijë kanë mbetur të vdekur në një valë sulmesh ushtarake izraelite në të gjithë Rripin e Gazës.

Sipas agjencisë së mbrojtjes civile të Gazës, një shkollë që strehonte familjet e zhvendosura ishte midis objekteve të goditura, duke vrarë tetë njerëz, përfshirë katër fëmijë gjatë fundjavës.

Ky sulm vjen pasi OKB-ja i ka bërë thirrje Izraelit të ndërpresë sulmet në afërsi të një spitali në veri të Gazës.

Ushtria izraelite pretendoi se një qendër komanduese e Hamasit ishte brenda kompleksit të shkollës Musa bin Nusair në qytetin e Gazës dhe nuk ka komentuar mbi raportet për sulmet nga spitali.

“Hamasi shkel sistematikisht ligjin ndërkombëtar”, tha Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) në mediat sociale, duke shtuar se përgjigja e Izraelit do të ishte "të veprojë me forcë dhe vendosmëri kundër organizatave terroriste".

Zëdhënësi i agjencisë së mbrojtjes civile të Gazës, Mahmoud Bassal tha për agjencinë e lajmeve AFP se shkolla ishte ripërdorur si një strehë për palestinezët e zhvendosur nga lufta.

Papa Françesku dënoi të dielën sulmet izraelite në Gaza për të dytën ditë radhazi. Ai shprehu dhimbjen duke menduar "për një mizori të tillë, për mitralozimin e fëmijëve, për bombardimet e shkollave dhe spitaleve".

Drejtori i spitalit Kamal Adëan, Dr Hussam Abu Safiya, tha se gjeneratorët e tij ishin goditur dhe pretendoi se ushtria izraelite po synonte rezervuarin e karburantit. Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus, i bëri një lutje IDF-së për të ndaluar sulmet në afërsi të spitalit.

Raportet e së shtunës mbrëma për "bombardimin pranë spitalit Kamal Adëan dhe urdhër për evakuimin e spitalit janë thellësisht shqetësuese", tha ai në një deklaratë në mediat sociale.

“Ne bëjmë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në afërsi të spitalit dhe për të mbrojtur pacientët dhe punonjësit e shëndetësisë”.

Më shumë se 45,000 palestinezë janë vrarë gjatë luftës 14-mujore midis Izraelit dhe Hamasit, sipas shifrave nga ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi. Lufta filloi kur persona të armatosur të udhëhequr nga Hamasi kryen një sulm të paprecedentë në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, gjatë të cilit rreth 1200 njerëz u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng.

/rtsh.al/