Festivali i 63-të i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar zgjoi interes të madh jo vetëm tek qytetarët e thjeshtë, por edhe në botën e spektaklit, artit dhe shoubizit shqiptar.
Të shumtë ishin artistët, të cilët nuk i rezistuan dot magjisë së spektaklit as në natën finale, të cilët parakaluan në tapetin e kuq.
"Është gjithmonë kënaqësi të ndjekësh Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar, që është edhe Nder i Kombit. Unë çdo vit kam ardhur në natën finale dhe ajo është arsyeja kryesore pse vij, sepse më pëlqen shumë t'i shoh. Suksese të tërëve," deklaroi Luiz Ejlli, fituesi i Fest 44.
Salla e Pallatit të Koncerteve u mbush plot e përplot ashtu sikurse edhe në tri netët e para.
Me përfundimin e tij, për Festivalin pati mjaft reagime pozitive. Në rrjetet sociale shumë prej artistëve i dhanë jehonë Festivalit, duke e ndarë në postime të shumta.
... një impakt ky i suksesit të arritur, duke prekur zemrat e të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve.
Gazetare: Katerina Kule
/rtsh.al/