Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i është bashkuar protestës në kryeqytet. Në fjalën përshëndetëse, Berisha theksoi se nuk ka kthim pas deri në krijimin e një qeverie teknike.
Mosbindja civile sipas kreut të PD-së është kodi i rrëzimit të qeverisë Rama.
"Asgjë nuk i pengon demokratët për të realizuar, objektivat e tyre. Mosbindja civile është kodi i përmbysjes së diktatorit. Janë 15-20 forma të mos bindjes civile të shfaqura në parlament dhe kudo. E rëndësishme është që projekti i mosbindjes civile të realizojë qëllimet e veta. Me Ramën nuk ka zgjedhje, por ka betejë për zgjedhje dhe jemi shumë të qartë”, tha Berisha.
I përshëndes nga zemra, të gjithë ata qytetare e qytetarë, demokrate e demokratë që janë mbledhur sot nga të katër anët e vendit dhe kanë marrë Tiranën. I përshëndes mbarë qytetarët e Tiranës dhe i siguroj se, kjo mosbindje civile është në interesin e çdo qytetari të Tiranës dhe Shqipërisë dhe se ne nuk ndalojmë pa realizuar objektivat tona, qeveri teknike, zgjedhje të lira”, tha Berisha.
Bardhi përplaset me punonjësit e policisë: Kemi të drejtën tonë për tubime
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi është përplasur me punonjësit e policisë duke iu kërkuar atyre që të lejojnë qytetarët dhe mbështetësit e PD-së që të protestojnë lirisht.
Në një komunikim me punonjësit e policisë, pak pasi protesta e opozitës e thirrur pasditen e sotme në formën e mosbindjes civile duke bllokuar rrugët dhe akset kryesore në vend, Bardhi iu drejtohet uniformave blu që të mos bëhen pengesë për protestuesit e opozitës.
“Po na pengoni në të drejtën tonë, zbatoni ligjin dhe devijoni trafikun, mos na pengoni në të drejtën tonë për tubim. Jeni duke penguar të drejtën tonë për të tubuar. Na lejoni të ushtrojmë të drejtën tonë për tubim. Punonjës të policisë që nuk dinë konceptin e lirisë së tubimit, ta mësojnë! Nuk merret leje në polici, e ka thënë Gjykata Kushtetuese, bëhet vetëm njoftim. Njoftimi është bërë. Policia të devijojë trafikun”, është shprehur Bardhi.
Ndërkaq, protestues të shumtë janë grumbulluar në akset kryesore të Tiranës duke bllokuar edhe trafikun, aq sa ka shkaktuar përplasje dhe debate mes protestuesve dhe drejtuesve të automjeteve.
Protesta është thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha pas daljes së tij nga arresti në shtëpi që prej gati 1 viti në formën e mosbindjes civile ndaj mazhorancës së kryeministrit Edi Rama.
Kanë nisur përplasjet mes protestuesve dhe policisë në protestën e opozitës. Forcat e policisë kanë tentuar shpërndarjen e protestuesve me qëllim lirimin e rrugës për qytetarët dhe mjetet.
Në terren janë angazhuar 1400 forca të policisë të shpërndara në pesë pika ku protestuesit janë mbledhur.
Kujtojmë që opozita ka bllokuar 5 akset kryesore në Tiranë, kryqëzimin tek rruga e Elbasanit, sheshin para bashkisë së Tiranës, sheshin “Uillson”, zonën tek Pallati me Shigjeta dhe Zogun e Zi.
/rtsh.al/