Me këngë “Era” dhe një performancë energjike nga MC Kresha është hapur nata finale e festivalit të këngës në radiotelevizionin Shqiptar. Këngëtari nga Kosova ka krijuar një atmosferë elektrizuese, duke ngjallur entuziazmin e publikut dhe duke e çelur këtë natë të rëndësishme në një mënyrë mjaft dinamike.
MC Kresha vlerësoi gjithashtu të gjitha këngët konkurrente, duke u shprehur se secili nga ato meriton duartrokitjet dhe vlerësimet e publikut.
“Kjo është hera ime e parë në festival, bëra një gafë të vogël gjatë performancës. Kjo është e bukura e këngës live, të gjithë këngët konkurrente meritojnë duartrokitjet dhe vlerësimet e publikut, pasi është sfidë për të kënduar një këngë në nivelin absolut përcjellë nga orkestra dhe banda fantastike”, tha MC Kresha.
MC Kresha, i ftuar në "Këndi i Fest 63" me Andri Xhahun dhe Alesia Burnazin, u shpreh se nuk e kishte imagjinuar kurrë që do të mund të ishte pjesë e festivalit, ndërsa kujtoi se Luan Zhegu ishte një nga artistët që i ka lënë mbresa me këngët e tij.
Ai theksoi rëndësinë e vlerësimit dhe mirënjohjes për festivalin, që ka një histori 63 vjeçare, duke e cilësuar si një ngjarje solemne dhe me peshë për muzikën shqiptare.
“Si një fëmijë i Kosovës që jemi rritur me këtë eveniment të vetmit argëtues u ndjeva shumë mirë që isha këtu. Nuk e kisha imagjinuar kurrë fëmijët që mund të isha pjesë e festivalit. Luan Zhegu është ai që mbaj mend këngët e tij nga festivali që më kanë lënë mbresa. Të gjithë duhet ta vlerësojmë dhe të jemi mirënjohës ndaj këtij festivalin me 63 vite histori. Kurrë nuk kam pasur më shumë emocione. Rrepi është një niveli muzikës i urbane, ndërsa festivali është pak më solemn. Nëse do të vij sërish vitin tjetër do të jetë me një recital”, tha reperi.
Festivali i Këngës, që ka zgjuar pasionin dhe kreativitetin për 3 ditë me radhë, përfundon sonte, ndërkohë fituesi do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2025. Janë 15 finalistë që garojnë për çmimin e parë, ndërsa do të shpallen gjithashtu fituesit e çmimeve vlerësuese, si "Çmimi i Kritikës" dhe "Çmimi për Tekstin më të Mirë".
Të ftuar të tjerë me monologët e tyre plot mesazhe do të jenë pjesë e natës finale të Fest 63, duke nisur nga Elhajda Dani, Bora Ferri, Arta Dade por edhe lidhje me artistët nga prapaskena.
/rtsh.al/