Menjëherë pas deklaratës së kreut demokrat Sali Berisha, ka reaguar Policia e Tiranës e cila deklaroi se deputeti Agron Gjekmarkaj nuk është dhunuar nga asnjë efektiv.
Në reagim, policia sqaron se deputeti Gjekmarkaj nuk është goditur nga asnjë punonjës policie, por se ai nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore dhe është larguar nga protesta.
Po ashtu Policia e Shtetit dënon dhunën e deputetit Flamur Noka për sulmin e tij ndaj efektivëve në detyrë.
“Policia e Shtetit përgënjeshtron si tërësisht të pavërtetë deklaratën në media të z. Sali Berisha, ku pretendoi se deputeti Agron Gjekmarkaj është goditur nga punonjësit e Policisë.
Deputeti Gjekmarkaj nuk është goditur nga asnjë punonjës policie, por, nga të dhënat e para, rezulton se ai nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore dhe është larguar nga protesta.
Policia e Shtetit shpreh keqardhje për këto deklarata dhe, mbi të gjitha, për veprimet e dhunshme të deputetit Flamur Noka, i cili jo vetëm nuk iu bind urdhrit të Policisë për të liruar rrugën, por ka kundërshtuar me dhunë, duke shtyrë, fyer dhe goditur punonjësit e Policisë që ishin në detyrë për të liruar rrugën me qëllim lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.
Policia e Tiranës ka evidentuar të gjithë ata shtetas që bllokuan në mënyrë antiligjore rrugën dhe kundërshtuan urdhrin e punonjësve të Policisë për ta liruar atë dhe do të procedohen sipas ligjit.”, thekson në reagim policia.
Policia e shtetit ka theksuar se “Bllokimi i rrugëve është vepër penale, çka u është bërë e qartë organizatorëve të protestës në përgjigjen e kthyer nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, që mori përsipër garantimin e protestës, por pa bllokuar lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve”.
/rtsh.al/