RTSH 24 Live

Aktualitet

Nuk deklaruan pakot me euro, ndalohen 2 persona në Vlorë. Iu sekuestrohen 31 mijë euro

5 orë para

Nuk deklaruan pakot me euro, ndalohen 2 persona në Vlorë. Iu sekuestrohen 31 mijë euro

Policia ka goditur një rast të mosdeklarimit të parave në kufi, ku është sekuestruar një shumë prej 31 805 euro.

Në këtë rast, janë proceduar penalisht 2 shtetas, drejtues të automjetit ku u gjetën 4 pakot me euro.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë ushtruar kontroll në autobusin e një agjencie udhëtimi. Në pjesën fundore të një sediljeje, u gjetën dhe u sekuestruan 31 805 euro, të ndara në 4 pako të mbështjella me letër celofani.

Në vijim të veprimeve për këtë rast, nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, për 2 drejtuesit e autobusit, shtetasit B. K., 46 vjeç dhe S. V., 29 vjeç, të dy banues në Vlorë”, shkruan në njoftimin e saj Policia.  

Ndërkaq, automjeti dhe shuma e parave u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/