Një pikë e re grumbullimi për prodhimet bujqësore është ngritur në Kosmaç të Vau I Dejës. Investimi i ngritur me mbështetjen e AZHBR-së do të lehtësojë fermerët.
“Më vjen mirë që me pikën e re të grumbullimit në Kosmaç, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural së bashku me Bashkinë e Vaut të Dejës i jep zgjidhje një nevoje të kahershme të fermerëve të zonës të cilët prodhojnë rreth 3000-4000 ton perime në vit, por deri më sot nuk kishin një pikë grumbullimi me standarde dhe tregtonin direkt nga serrat” u shpreh Krifca.
Ministrja tha se, ky investim përveçse plotëson nevojën imediate për grumbullim, ruajtje e seleksionim, ul dhe kostot për të gjithë zinxhirin deri tek konsumatori final.
Qendra e re e grumbullimit dhe magazinimit të prodhimeve bujqësore, e ndërtuar sipas standardeve më të mira, garanton ruajtjen e fruta-perimeve me standardet e duhura dhe në kushte optimale cilësie, teksa furnizon tregun me produkte të freskëta në çdo stinë.
Me mbështetjen nga AZHBR janë ndërtuar mbi 270 pika grumbullimi fruta-perime. Ndërsa janë kontraktuar 38 subjekte vetëm përmes IPARD, me rreth 39 milionë euro investime që po shkojnë vetëm për pikat e grumbullimit dhe shtimin e kapaciteteve ruajtëse frigoriferike e përpunuese për produktet bujqësore.
/rtsh.al/