Përfaqësia e Bashkimit Evropian në Tiranë thotë se rregullorja e re e Kuvendit, që u ndalon gazetarëve praninë fizike në mbledhjet e Komisioneve parlamentare, nuk reflekton udhëzimet e dhëna prej tyre. BE shpreh keqardhjen që kjo rregullore është miratuar pa u konsultuar më parë me gazetarët dhe mediat.
“Keqardhje për mungesën e konsultimeve me mediat përpara miratimit të rregullave të reja nga Parlamenti. Këto rregulla nuk janë në përgjigje të udhëzimeve të BE-së ose këshillave të dhëna nën ndihmën e IPA-s, të nisura në këtë kontekst në vitin 2014”, thtoë BE.
Bashkimi Evropian thotë se dëgjesat publike dhe qasja e mediave në Parlament për të mbuluar punën e seancave dhe komisioneve të tij janë elemente të rëndësishme të një demokracie liberale.
Reagimi i zyrës së BE mbërriti pasi përmes një deklarate të gjatë, Kuvendi i Shqipërisë pretendonte se rregullorja e re për gazetarët reflektonte rekomandimet e dhëna nga Bashkimi Evropian dhe se ishte i njëjti model që zbatohej edhe në Parlamentin Evropian. Një grup gazetarësh protestuan këtë të mëkurë para sallës së seancave plenare të Kuvendit.