RTSH 24 Live

Sociale

Përballja me të kaluarën pas rënies së diktaturave, Sula: Duhet një kulturë përkujtimi

3 orë para

Përballja me të kaluarën pas rënies së diktaturave, Sula: Duhet një kulturë përkujtimi

Përballja me të kaluarën përmes narrativave të përbashkëta europiane është një proces i pandalshëm për transformimin e shoqërive pas rënies së diktaturave. Për kreun e Autoritetit të Informimit mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, kjo është një çështje për të ndërtuar një kulturë të përkujtimit. 

"Është për të shprehur dhimbjen për vuajtjen e tyre, solidaritetin, do të punojmë me ligjbërësit që ajo që mund të ndreqet të mund të ndreqet, por të paktën të ketë një mirëkuptim dhe shkëputje morale nga praktikat apo gjithë ato akte jonjerëzore, për të cilat ne bindemi përherë e më shumë si Autoritet,

Për praktikat e ndjekura në vendin e tij, nga mbledhja e materialeve te grumbullimi i dosjeve, dokumentimi i krimeve, por edhe për metodat e praktikat që përdorte Sigurimi apo policia sekrete,  foli edhe ambasadori gjerman në vendin tonë, Karl Bergner, i cili vuri theksin në rëndësinë e pranimit të së shkuarës.

"E rëndësishme është të pranojmë të shkuarën, të mbështesim e të biem dakord me atë lloj diktature, shkeljen e të drejtave të njeriut që bashkëlidhen me atë diktaturë. Puna e Autoritetit të Dosjeve të Sigurimit apo STASI-t në Gjermani, ka të bëjë me marrëdhëniet personale të individëve, që ishin viktima të atij sistemi. E rëndësishme është për mbarë shoqërinë që të shërohet dhe të kuptojë të shkuarën," deklaroi ambasadori Bergner.

Procesi i shqyrtimit të dosjeve të policisë sekrete pas rënies së diktaturave në Europën Qendrore dhe atë Lindore është i pashmangshëm, ndaj edhe rrjeti europian i autoriteteve zyrtare për dosjet e policisë sekrete ka për qëllim shkëmbimin e eksperiencave dhe përballimin e sfidave profesionale.

Gazetare: Melisa Shameti

/rtsh.al/