RTSH 24 Live

Sociale

Kryqi i Kuq Shqiptar, shoqata më e vjetër humanitare në vend

3 orë para

Kryqi i Kuq Shqiptar, shoqata më e vjetër humanitare në vend

Kryqi i Kuq Shqiptar përbën shoqatën më të vjetër humanitare në Shqipëri. Ai u themelua më 4 tetor 1921. Kryetari i saj i parë ka qenë Ahmet Zogu, mbreti i ardhshëm i shqiptarëve. 

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave zotëron në fondin e saj edhe dokumentin ku paraqitet thirrja e Zogut si kryetar, drejtuar shqiptarëve, të cilët i fton të japin kontribut në dobi të shoqatës.

Kryqi i Kuq Shqiptar u bë njohur zyrtarisht prej Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në vitin 1923. 

Pas Luftës, Kryqi i Kuq Shqiptar varej tërësisht nga institucionet shtetërore, të cilat me një vendim të vitit 1969, pezulluan veprimtarinë e kësaj shoqate për më shumë se 20 vjet.

Në fillim të viteve ‘90, Kryqi i Kuq Shqiptar rifillon aktivitetin e tij duke krijuar një bazë të plotë ligjore, si dhe një strukturë organizative. Kjo shoqatë u njoh nga Kuvendi i Shqipërisë, si “një organizatë e pavarur humanitare vullnetare” në bazë të ligjit nr. 7864 më 29 shtator 1994.

Në dekadat e fundit kanë qenë tre momente në të cilat Kryqi i Kuq Shqiptar pati një rol të domosdoshëm: në përmbytjet e vitit 1996, në trazirat që përfshinë vendin pas rënies së firmave piramidale në 1997 si dhe gjatë luftës së Kosovës, që u shoqërua me krizën e refugjatëve në kërkim të një strehe në Shqipëri.

/ rtsh.al /