RTSH 24 Live

Sociale

Mbi 10 mijë infeksione respiratore në javë, ISHP: Në dimër do qarkullojë gripi dhe kovidi

4 orë para

Mbi 10 mijë infeksione respiratore në javë, ISHP: Në dimër do qarkullojë gripi dhe kovidi

Luhatja e temperaturave dhe afrimi i dimrit po e ndryshojnë situatën epidemiologjike në vend.

Në ISHP, raportimet javore të qendrave shëndetësore në vend flasin për mbi 10 400 pacientë të prekur nga virozat dhe infeksione të tjera respiratore.

Trendi i infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme ka paraqitur rritje dhe është një situate normale dhe e pritshme për stinën. Numri javor i personave të cilët paraqiten në qendrat shëndetësore është rreth 10 400 persona, që është i njëjti numër si vitin e kaluar”, shprehet epidemiologu Artan Simaku.

Sipas ISHP ende nuk është kapur rasti i parë me virusin e gripit, po ashpërsia e sezonit gripal këtë vit pritet të jetë e njëjtë me atë të vitit të shkuar, ndonëse gripi është i paparashikueshëm.

"Nuk kemi vërtetuar raste të konfirmuara me grip. Kurba fillon rritjen në muajin dhjetor për të arritur pikun në fund të muajit janar dhe në fillim të muajit shkurt," tregon specialisti i ISHP-së.

Qarkullimi gjithëvjetor i COVID-19 do të bëjë që edhe këtë sezon të shohim ngjashmëri simptomash mes covid dhe gripit, ku identifikimi i nënvariantit më të ri të Omicronit XEC I përhapur më shpejtësi së fundmi në Europë të jetë sfidë për mjekët.

"Aktualisht nga të gjitha variantet dhe nënvariantet qarkulluese të kovidit ka ngjashmëri, por klinicistët e kanë tashmë eksperiencën për të dalluar a anon më tepër diagnoza nga gripi apo nga kovidi," shton z. Simaku.

ISHP do nisë këto ditë fushatën e vaksinimit ndaj gripit dhe Covid. Vaksina e gripit këtë sezon përmban 4 shtame virusesh.

Gazetare: Sonila Mlloja

/RTSH/