Partia Demokratike përsëriti të mërkurën (12 shkurt) thirrjen për dorëheqjen e kryetares së Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka.
Deputetja socialiste është nën hetim nga SPAK-u në lidhje me akuzat që kanë si të pandehur parësorë kryebashkiakun Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij, si edhe disa sipërmarrës.
Kërkesa për dorëheqje u deklarua një ditë më parë në Komisionin e Ligjeve edhe nga deputeti demokrat Dashnor Sula.
Në një konferencë për shtyp, deputetja Dhurata Çupi, njëherësh nënkryetare e Komisionit, tha se dorëheqja do të ishte një mesazh publik që ajo nuk po mbrohet nga kryeministri Edi Rama.
"Si nënkryetare e Komisionit të Ligjeve, jam shumë e keqardhur për qëndrimin antishtet të mbajtur nga Kryetarja e Komisionit të Ligjeve gjatë hetimit të miqve të saj politikë dhe të biznesit, Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa.
Por ndërsa me pjesën penale le të merret SPAK-u, si opozitë, kemi detyrimin të ngremë zërin kundër keqpërdorimit të Parlamentit dhe Komisionit të Ligjeve në aferën korruptive të Erion Veliajt. Komisioni i Ligjeve, Këshilli i Mandateve, Sekretariati për procedurat votimet dhe etiken, është keq përdorur këto vite për të mbrojtur paligjshmërinë e Edi Ramës përmes ligjeve me porosi, dënimit me porosi të opozitës apo mbrojtjen me porosi të mandateve antikushtetuese.
Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, duhet të japë dorëheqjen! Komisioni i Ligjeve nuk duhet të merret zvarrë nga prangat e Erion Veliajt dhe pafuqia e Edi Ramës për të mbuluar korrupsionin e tmerrshëm të mazhorancës dhe qeverisë që drejton!" theksoi znj. Çupi.
/rtsh.al/