Kryetari i Grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për arrestimin dhe hetimet e zhvilluara për kryebashkiakun Erion Veliaj.
Bardhi shkruan se është shqetësuar jo për arrestimin e kryebashkiakut Veliaj apo se ai “humbi statusin e të paprekshmit”, por se në Shqipëri ka gjyqtarë dhe prokurorë që arrestojnë pa lejen e tij.
“Tërbimi i Edit dhe Erionit ndodh për motive të ndryshme. Ndërsa Erion Veliaj tërbohet se humbi statusin i paprekshëm, Edi Rama nuk shqetësohet nga arrestimi i Erion Veliajt apo humbja prej tij i statusit i paprekshëm. Edi Rama po shqetësohet sepse po kupton atë që kam thënë gjithmonë, që nga dita e parë e ngritjes së strukturave të posaçme, se në Shqipëri ka prokurorë dhe gjyqtarë që arrestojnë edhe pa lejen e Edi Ramës, apo se ka prokurorë dhe gjyqtarë të ndershëm, të pavarur dhe me integritet që e kanë seriozisht luftën ndaj korrupsionit.
Edi Rama do të kishte nevojë për prokurorë e gjyqtarë që i shantazhon, i kërcënon dhe që i japin certifikatë ndershmërie pa asnjë hetim Ols Ramës, që nuk luftojnë korrupsionin real që po i merr frymën Shqipërisë, apo që marrin urdhra nga zyrat e PS. Por, për shqiptarët është shumë herë më mirë që të shohin Edi Ramën që i merret fryma, ulëret, kërcet dhëmbët e plakuara, sesa të vijojmë me të korruptuarit që i kanë marrë frymën Shqipërisë në 12 vjet”, shkruan Gazment Bardhi.
/rtsh.al/