Deputeti i PS, Plarent Ndreca, deklaroi të mërkurën se vendosja e masës së sigurisë “arrest me burg” për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është në shkelje flagrante të ligjit, saktësisht të nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale.
Sipas tij, ligji neni në fjalë qartëson se ndaj personave të zgjedhur, përfshirë Kryetarin e Bashkisë, nuk mund të aplikohet masa ndaluese e pezullimit nga detyra.
“Në rastin e Kryetarit Veliaj, vendosja e masës së sigurisë “arrest me burg” ka sjellë de facto pezullimin e tij nga ushtrimi i detyrës. Ky veprim jo vetëm që cenon drejtpërdrejt vullnetin e 160,000 qytetarëve që e kanë zgjedhur për t’i përfaqësuar dhe shërbyer, por krijon një precedent të rrezikshëm për ndërhyrje arbitrare në funksionimin e institucioneve demokratike dhe demokracisë.”, shkruan Ndreca në një postim në rrjetet sociale.
Sipas tij, ky akt ngre shqetësime serioze për respektimin e shtetit të së drejtës dhe ndarjen e pushteteve, duke vënë në pikëpyetje parimet themelore të demokracisë dhe qeverisjes.
/rtsh.al/