RTSH 24 Live

Ekonomi

Gazifikimi i Korçës, punimet nisin pas marrëveshjes Shqipëri–Azerbajxhan

6 orë para

Gazifikimi i Korçës, punimet nisin pas marrëveshjes Shqipëri–Azerbajxhan

Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, ka pritur në një takim ambasadorin e Azerbajxhanit, Anar Hüseynov dhe përfaqësuesin e kompanisë shtetërore të gazit të këtij shteti, duke diskutuar mbi hapat që do të ndiqen për projektin e madh të gazifikimit të qytetit të Korçës.

Aktualisht sipas kryebashkiakut kanë përfunduar të dyja studimet e fisibilitetit, ndërsa pritet nënshkrimi i marrëveshjes mes dy qeverive në fillim të prillit, çka do i çelë rrugën edhe zbatimit konkret të punimeve.

"Aktualisht jemi duke ecur me shpejtësi. Janë mbyllur të dyja studimet e fisibilitetit, qoftë fisibiliteti ekonomik, edhe ai teknik i projektit. Presim që gjatë fillimit të muajit prill të nënshkruhet edhe marrëveshja e vendit pritës," u shpreh z. Filo.

I gjithë projekti pritet të ketë një prezantim publik në muajin mars, ndërsa kompania SOCAR do të zbatojë në Korçë edhe një projekt social, i cili ende nuk është saktësuar.

"Jemi në finalizim të gjithë fazës paraprake, që u paraprin projekteve kaq të mëdha infrastrukturore. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje i hapet rruga edhe fillimit të punimeve," tha kryebashkiaku i Korçës.

Projekti i gazifikimit të Korçës është mjaft i rëndësishëm, si për qytetarët, të cilët do të kenë një alternativë të mirë për ngrohjen, por edhe për bizneset, që do të kenë mundësinë për të mbuluar kostot e proceseve teknologjike që përdorin ngrohjen, me një kosto shumë më të ulët se aktualisht.

/rtsh.al/