RTSH 24 Live

Kosovë

Vijon numërimi i votave në Kosovë, Abdixhiku: LDK do qëndrojë në opozitë

8 orë para

Vijon numërimi i votave në Kosovë, Abdixhiku: LDK do qëndrojë në opozitë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se partia e tij do të qëndrojë në opozitë, siç ai kishte premtuar se do të ndodhte sikur partia të mos arrinte rezultatin e pritshëm në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Rezultatet paraprake pas numërimit të 99 për qind të kutive e vendosin LDK-në të tretë në radhë me 17,67 për qind të votave gjithsej, pas PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje në krye.

Pavarësisht të gjithave, siç e thash në Konferencën e natës së zgjedhjeve, ky rezultati nuk është rezultat ndryshimi për Kosovën; sepse populli i Kosovës ka tjera preferenca. I respektojmë. Do t’i respektoj këto preferenca sepse nuk di ndryshe! Qëndrimet e mia e të LDK-së paraelektorale mbeten edhe zotime të sotme. Le të mësohemi me një politikë ku mbajtja e fjalëve është standard bazik e ku marrja e pushtetit me çdo kusht nuk është qëllim! Gjithsesi, për të gjitha këto do të vendosim si një!” shkroi z. Abdixhiku në rrjetin social "Facebook".

Kreu i LDK-së gjithashtu kritikoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për procesin e numërimit të votave.

Nga dita e martë, kur nisi numërimi i votave të kandidatëve për deputetë, rezultati ende nuk është i qartë, madje në Prishtinë gjatë ditës si pasojë e rënies së sistemit informatik, numëri u desh të nisë nga fillimi.

Ende nuk dihet se sa do të zgjasë procesi i numërimit të votave për ata që garuan për Kuvendin, ndërkohë që disa komuna presin përgatitjet e nevojshme teknike dhe administrative para se të fillojnë numërimin.

"Përveç kësaj, kemi dhe një KQZ që as edhe një gjë bazike për të cilën kishte kohë plot 4 vjet të përgatitet - si numërimi i votave - nuk arrinë ta bëjë. Kthehuni në metodë klasike aman! Numërim është ky!" shtoi ai.

Pavarësisht sfidave, ai theksoi se LDK ka rikthyer veten dhe është e angazhuar për të përmbushur zotimet paraelektorale.

/rtsh.al/